OpEd

Tranzicioni i energjisë elektrike: Paradoksi i Kosovës

Naim Bujupi

Naim Bujupi

“Kur Rachel Kyte e quan energjinë ‘monedhën universale të zhvillimit’, Vaclav Smil e cilëson si ‘çështje sovraniteti’, Fatih Birol si ‘parakusht për demokraci’, dhe Barack Obama e vendos në zemër të ‘sigurisë kombëtare’, atëherë mungesa e saj, siç e paralajmëruan Ban Ki-moon dhe Thomas Friedman, nuk është thjesht dështim teknik, por një kërcënim për vetë themelet e shtetit”.

Këto citate përmbledhin në mënyrë të shkëlqyer rolin shumëdimensional të energjisë në shoqëri. Ajo nuk është thjesht një mall teknik që vjen në kWh, por një shtyllë qendrore e zhvillimit ekonomik, stabilitetit shoqëror dhe mbijetesës shtetërore. Si monedhë e zhvillimit, energjia është ajo që mundëson arsimin, kujdesin shëndetësor, funksionimin e industrive dhe shërbimeve, zhvillimin urban dhe jetën moderne në përgjithësi. Si çështje sovraniteti, ajo përcakton nivelin e pavarësisë së një shteti në vendimmarrje strategjike dhe në marrëdhënie me fqinjët apo partnerët ndërkombëtarë. Ndërsa në aspektin demokratik dhe të sigurisë, mungesa e saj ndikon drejtpërdrejt në krijimin e pabarazive dhe pasigurisë sociale.

Në Kosovë, situata në sektorin e energjisë elektrike paraqet një kontrast të thellë me këto parime. Edhe nëse pranohet se ka një sasi të mjaftueshme prodhimi energjie elektrike në periudha të caktuara, pyetja kyçe është: a kemi furnizim të qëndrueshëm, të sigurt dhe të përballueshëm për të gjithë? Statistikat janë shqetësuese: konsumatorët në Kosovë përballen mesatarisht me 6 ndërprerje në vit, me kohëzgjatje totale prej mbi 72 orë për konsumator. Në Bashkimin Evropian, kjo shifër është rreth 1.2 ndërprerje në vit dhe 90 minuta në total. Diferenca është më shumë se 48 herë në kohëzgjatje dhe 5 herë në frekuencë, një tregues i qartë i mosfunksionimit të rrjetit shpërndarës dhe mungesës së investimeve sistematike për modernizimin e saj.

Rrjeti elektroenergjetik në Kosovë varet kryesisht nga dy njësi të vjetra, termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, që operojnë përtej jetëgjatësisë së projektimit. Ndërprerjet e paplanifikuara janë të shpeshta, ndërsa remontet e planifikuara janë gjithmonë të rrezikuara nga vonesat ose ndalesat emergjente. Në vitin 2024, këto dy njësi përbënin mbi 80% të konsumit të gjithmbarshëm të energjisë elektrike. Në teori kjo duket si një mbështetje e madhe në kapacitete të brendshme, por në praktikë paraqet një varësi të rrezikshme ndaj teknologjive të vjetra, me efikasitet të ulët me përqendrim të lartë, që është sfiduese në rastet e avarive të kompensohet shpejt e tërë ajo energji elektrike nga tregu i jashtëm i energjisë elektrike.

Një tjetër aspekt kritik është mënyra e formësimit të çmimeve. KEK-u imponohet të shesë energjinë elektrike me një çmim të rregulluar prej rreth 30 €/MWh, një vlerë shumë më e ulët se çmimi real i tregut, i cili në bursën HUPX, që konsiderohet treg likuid, çmimi mesatar është mbi 100 €/MWh. Kjo diferencë çmimi përfaqëson jo një ndihmë për konsumatorin, por një subvencion të fshehur, i cili në fakt i dëmton të gjithë: nga njëra anë, e pamundëson KEK-un të investojë në mirëmbajtje të duhur dhe teknologji të reja, ndërsa nga ana tjetër e mban të varur dhe rrit varësinë nga importet e shtrenjta kur termocentralet dalin jashtë funksionit.

Më shqetësuese është mënyra si shteti, apo klasa politike në diskursin publik përpiqet ta justifikojë këtë model, duke promovuar idenë se tarifat e ulëta ndihmojnë konsumatorët. Në realitet, këto tarifa nxisin abuzimin me konsumin e energjisë elektrike dhe e shtyjnë më tej varfërinë energjetike (ku si koncept dhe definicion në Kosovë ende nuk është përcaktuar), pasi nuk krijojnë kushte që konsumatori të investojë në efiçiencë të energjisë, teknologji të reja në burime të ripërtëritshme ose në fund të fundit të ndryshojë sjelljen tyre. Ndërkohë, KEK-u nuk krijon teprica për të ndihmuar familjet në nevojë dhe nuk arrin të sigurojë vetëqëndrueshmëri financiare për të përballuar investime kapitale në blloqet e reja. Kostoja reale e kësaj politike të paqëndrueshme nuk shpërndahet sot, ajo i lihet brezave të ardhshëm, të cilët do të duhet të përballen me një sektor të dështuar dhe me borxhe të trashëguara.

Për më tepër, përpjekjet për të zhvilluar kapacitete të mëdha nga burime të reja të ripërtëritshme janë pothuajse të bllokuara. Procesi i ankandit për 100 MW nga energjia diellore ka mbetur në vendnumëro për dy vjet, edhe pse fituesi është shpallur prej më shumë se një viti. Ndërtimi ende nuk ka filluar. Arsyeja? Ndoshta mund të jetë një kombinim i një modeli të gabuar të ankandit (do të dëshiroja të jem gabim në këtë konstatim), jo domosdoshmërisht çmimi më i ulët garanton siguri në finalizim të ndërtimit të gjeneratorëve solarë, ku në shumë vende është përdorur një model i kombinuar (çmimi + kritere cilësore) ose ankand me prag minimal çmimi për të shmangur ofertat joreale, shto këtu burokracisë institucionale që nuk garanton efikasitet të procedurave pas shpalljes së fituesit. Ndërsa sa i përket ndërtimeve të gjeneratorëve të mëdhenj nga burimet e ripërtëritshme jashtë skemës së ankandit, vetë investitorët raportojnë për sfida të shumta, që nga vonesat në dhënien e lejeve komunale, të aprovimeve në ministritë respektive, e deri te kapacitetet e pamjaftueshme për lidhje në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes.

Në këtë kontekst, objektivi i Strategjisë së Energjisë 2022-2031, që parasheh komisionimin e rreth 1300 MW të reja nga burimet e ripërtëritshme deri në vitin 2031, bëhet gjithnjë e më i paarritshëm. Kjo nënkupton që Kosova do të duhet të komisionojë rreth 150 MW çdo vit nga viti 2026. Megjithatë, në tre vjetët e fundit, nuk është përfunduar asnjë projekt madhor. Kjo tregon për mungesë të thellë të kapaciteteve institucionale dhe për mungesë të vullnetit politik për të çuar përpara tranzicionin e energjisë elektrike.

Edhe për sektorin privat, posaçërisht për konsumatorët e biznesit ky tranzicion është bërë i pamundur. Bizneset të mësuara me tarifa të subvencionuara, janë të papërgatitura për kalimin në tregun e lirë, ku çmimet janë 2-3 herë më të larta. Mungesa e një faze tranzitore, ku tarifat e rregulluara do të afroheshin gradualisht me ato të tregut, ka krijuar një mjedis të brishtë, ku rritja e çmimit të bazuara në çmimet e tregut nuk është e mirëpritur, ndërsa vazhdimi i subvencionimit vetëm e thellon varësinë dhe e pengon hapjen e një tregut të qëndrueshëm të energjisë elektrike në Kosovë.
Kjo krijon një kundërthënie të madhe: nga njëra anë shteti flet për hapje të tregut dhe liberalizimin, por në anën tjetër vazhdon të kontrollojë dhe të ndërhyjë në mënyrë të drejtpërdrejtë në sektorin e energjisë elektrike.

Zgjidhja është e qartë: KEK-u duhet të operojë në treg të lirë, duke shitur energjinë elektrike sipas çmimeve të tregut. Të ardhurat e fituara mund të transferohen në buxhetin e shtetit dhe të përdoren për të mbështetur me subvencione direkte vetëm ata që janë realisht në nevojë si pensionistët, familjet me ndihmë sociale, ose konsumatorët e tjerë të cenueshëm. Kjo qasje do të siguronte drejtësi sociale, do të ruante konkurrencën dhe do të nxiste investime të reja në prodhim dhe në rrjetin elektroenergjetik për të akomoduar kapacitete të reja gjeneruese dhe rritjen potenciale të konsumit i shkaktuar nga rritja ekonomike e pritur. Në këtë mënyrë, edhe ZRRE-ja do të mund të përqendrohej në rolin e saj thelbësor, monitorimin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit, dhe jo në përcaktimin artificial të çmimeve të energjisë elektrike. Funksione të tilla si përcaktimi i tarifave për rrjetin transmetues dhe distributiv mbeten të nevojshme si pjesë e rregullimit të monopoleve natyrore, por çmimi i energjisë elektrike duhet të vendoset nga tregu.

Përfundimisht, sektori i energjisë elektrike në Kosovë mbetet peng i një paradoksi të thellë: përderisa në diskursin publik flitet për reforma të thella dhe tranzicion të sektorit elektroenergjetik, në realitet ruhet një model i vjetruar dhe i paqëndrueshëm. Pa reforma të thella në çmime, pa liberalizim të vërtetë të tregut dhe pa investime të guximshme në kapacitete të reja dhe në infrastrukturë, tranzicioni elektroenergjetik do të jetë i dhimbshëm ose edhe mund të mos ndodhë!

Qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë kosto gjithnjë e më të larta herë përmes faturave të energjisë elektrike, herë përmes buxhetit të shtetit, për një shërbim që mbetet i pasigurt dhe i papërshtatshëm për nevojat e një zhvillimi modern të kohës. Në fund të ditës, ky është paradoksi i energjisë elektrike në Kosovë: një sistem që mban çmimet artificialisht të ulëta, duke bllokuar investimet, penguar liberalizimin dhe vonuar vetë tranzicionin. Pa çmime reale, transparencë për konsumatorin dhe vendime të guximshme politike, tranzicioni energjetik do të mbetet vetëm një slogan i zbrazët në dokumente strategjike dhe fjalime publike.

(Autori ka afro 18 vjet përvojë në sektorin e energjisë, përfshirë punë në institucione publike si dhe konsulencë për organizata vendore dhe ato ndërkombëtare)