Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova ende pa vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës

Kosova është një nga shtetet e fundit në Evropë që ka mbetur pa e futur ende vaksinën për parandalimin e këtij lloj kanceri në programin e rregullt të vaksinimit.

Vaksina kundër Papilluma Virusit (HPV), sipas studimeve të ndryshme, parandalon rastet e kancerit të qafës së mitrës me gati 90 për qind, ndërsa parandalon edhe infeksione të tjera.

Në Kosovë, brenda një viti, sipas të dhënave të QKUK-së, 100 vajza ose gra diagnostikohen me këtë lloj kanceri.

Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar që ky institucion planifikon që të fillojë vaksinimin me 300 doza. Fillimisht si fazë pilotuese.

“Ministria e Shëndetësisë edhe sivjet ka porositur edhe 300 vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës, pra kundër virusit humana papillona siç njihet, dhe ne presim që këto vaksina në vitin e parë t’u jepen personave në baza vullnetare në një formë testuese duke përzgjedhur ata persona që kanë dispozitë gjenetike”, ka thënë Hoti.

Edhe Sivjet synohet të tejkalohet mbulueshmëria mbi 87% me vaksinën HPV për të mbrojtur fëmijët Arbëri Sivjet synohet të tejkalohet mbulueshmëria mbi 87% me vaksinën HPV për të mbrojtur fëmijët

Ai ka deklaruar se në rast që shohin se nuk do të ketë ngurrim për t’u vaksinuar, vitin tjetër do të rritet numri i vaksinave.

“MSH-ja patjetër që do të bëjë një lloj fushate informuese, t’i informojë targe grupet që vaksinohen të parat me informacione burimore, me rëndësinë e vaksinimit dhe të shohim se sa vullnetarë do t’i kemi prej gjinisë femërore nga grupacioni i moshës nga 12-13 vjeç. Nëse shohim që interesimi është i madh atëherë kjo nënkupton që me automatizëm, vitin tjetër, numri i dozave do të shumëfishohet dhe do të shkohet nga ajo që kjo vaksinë të futet në kalendarin e vaksinave të rregullta”, shtoi ai.

Pranvera Zejnullahu-Raci është gjinekologe që punon me raste të tilla. Asaj i rastis shpesh në raste kur pacientet kërkojnë ndihmë shëndetësore kur sëmundja ka avancuar.

“Problemi i kancerit të qafës së mitrës është problem shumë i madh, bile për keqardhje është që një numër i madh i rasteve të grave tona vijnë në stade shumë të avancuara dhe që shpesh janë inoperative me prognozë shumë të keqe”, u shpreh Zejnullahu-Raci.

Jo vetëm gratë e vajzat duhet të vaksinohen me HPV vaksinën.

“Rekomandohet edhe për gjininë mashkullore, pasi që lidhet shpesh me kancerin cervikal edhe nuk e potencojnë faktin që HPV është sëmundje seksualisht e transmetueshme kështu që nëse mbrohen edhe gjinia mashkullore atëherë duhet ta reduktojnë numrin e rasteve të cilat pastaj partnerët mund t’i marrin nga njëri-tjetri”, shtoi ajo.

Zejnullahu-Raci së bashku me dy kolegë të Klinikës së Gjinekologjisë kanë bërë punim për këtë çështje. Të dhënat e punimit flasin për 70 për qind të grave që nuk e dinë fare ekzistencën e kësaj vaksine.

“Nga 800 pyetësorë të shpërndarë, 645 u plotësuan dhe u kthyen (80.6%). Vetëm 0.5% e grave ishin vaksinuar kundër HPV. Shumica e të anketuarve (66.4%) nuk kishin njohuri të mëparshme për HPV (human papillomavirus). Vetëm 27.6% e të anketuarve ishin të vetëdijshëm se HPV është përgjegjës për kancerin e qafës së mitrës. Rreth dy të tretat (70.1%) e të anketuarve nuk kishin dëgjuar kurrë për vaksinën HPV dhe vetëm 24% e dinin se vaksina HPV mund ta parandalojë kancerin e qafës së mitrës”, thuhet në konkluzionet e punimit.

Edhe Për 6 muaj u vaksinuan kundër papillomavirusit mbi 18 mijë 12-vjeçar Arbëri Për 6 muaj u vaksinuan kundër papillomavirusit mbi 18 mijë 12-vjeçar

Kanceri i qafës së mitrës, i cili shkaktohet nga HPV - një infeksion i zakonshëm seksualisht i transmetueshëm - është i shërueshëm nëse zbulohet dhe trajtohet herët.

Studimet ndërkombëtare kanë konstatuar që në vendet ku janë vaksinuar vajzat e moshës 12-13 vjeçe, rastet janë reduktuar në rënie prej 87 për qind.