Arbëri

Për 6 muaj u vaksinuan kundër papillomavirusit mbi 18 mijë 12-vjeçar

Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, gjithsej 18 mijë e 775 djem dhe vajza të moshës 12-vjeçare janë vaksinuar kundër Papillomavirusit (HPV). Përfaqësues të institucioneve shëndetësore kanë vlerësuar se vaksinimi është një nga mënyrat më efektive për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, i cili në Kosovë renditet si lloji i dyti më i përhapur i kancereve, pas atij të gjirit

Me nisjen e vitit të ri shkollor më 1 shtator, nëpër institucione arsimore në Kosovë ka rifilluar edhe fushata për vaksinimin e nxënësve të klasës së gjashtë kundër Papillomavirusit (HPV), si një hap kyç për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Në këtë fushatë vaksinimi, sivjet krahas vajzave, janë përfshirë edhe djemtë 12-vjeçar.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se deri më tani janë administruar në total 18 mijë e 775 doza të vaksinës HPV, për nxënës të të dyja gjinive.

“Kur vaksinohen të dy gjinitë, atëherë shumë më shpejt arrihet edhe imuniteti kolektiv. Procesi ka shkuar mjaft mirë, deri më tani të dhënat e gjashtëmujorit të parë janë 81 për qind mbulueshmëria për këtë grupmoshë. Tash prej shtatorit, që veç ka filluar shkolla, ekipet e vaksinimit kanë identifikuar fëmijët të cilët nuk kanë mbërritur ta marrin për arsye të ndryshme vaksinën në gjashtëmujorin e parë”, ka theksuar Fetije Fetaj, e cila është shefe e programit të imunizimit në IKSHPK.

Vaksina kundër infeksionit me “Human Papilloma Virus” është përfshirë në kalendarin e rregullt të vaksinimit gjatë vitit 2023.

Fetaj ka thënë se kjo vaksinë është e sigurt dhe ndikon në parandalimin e shfaqjes së disa llojeve të kancerit.

“Virusi Human Papiloma shkakton, përveç kancerit të qafës së mitrës, që është një ndër kanceret më të shpeshta, edhe kancere të tjera, të cilat lidhen me të dyja gjinitë. I kemi potencuar disa herë, kanceri i fytit, gojës, i organeve gjenitale te të dy gjinitë e të tjera. Kështu që, prindërit duhet të konsiderohen me fat që fëmija i tyre mbërrin edhe e ka mundësinë që në vendin tonë të vaksinohet me vaksinën HPV, të mos kenë asnjë hezitim dhe tashti më janë dhënë mbi 20 mijë doza nëse i marrim të dy vjetët që janë vaksinuar kjo grupmoshë, edhe nuk kemi pasur asnjë efekt anësor të raportuar në IKSHPK, d.m.th. vaksina është mjaft e sigurt, mjaft efektive dhe siguron mbrojtje”, është shprehur ajo.

Fetaj ka bërë të ditur se edhe të rinj deri në moshën 21-vjeçare mund ta marrin këtë vaksinë, e cila administrohet në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Bazuar në një raporti të IKSHPK-së për sëmundjet malinje gjatë vitit 2024, kanceri i qafës së mitrës ka rezultuar të jetë forma e dytë më e shpeshtë e tumoreve te gratë, me 364 raste të raportuara brenda vitit. E para është ajo e kancerit të gjirit.

Gjinekologu, Memli Morina, e ka kualifikuar të rëndësishëm për shëndetin administrimin e kësaj vaksine te grupmoshat e reja.

“E kuptoj frikën që mund ta ketë një prind që ta vaksinojë vajzën dhe djalin me një vaksinë, të cilën nuk e ka bërë vetë ai ose ajo, d.m.th. në fëmijërinë e vet as nëna, as babai nuk e kanë bërë dhe tash që të vendosin që ta bëjë vajza ose djali i tyre e kuptoj atë frikën dhe pasiguri që e kanë, mirëpo është dëshmuar që kjo vaksinë është e sigurt, nuk shkakton ndonjë problem, përkundrazi e mbron organizmin nga efektet që shkakton HPV”, ka theksuar Morina.

Ai ka bërë të ditur se praktikat ndërkombëtare me vaksinën kanë prodhuar rezultate pozitive.

“Për shembull në Suedi, gati që nuk ka sëmundje të tillë, për shkak të këtyre dy veprimeve, kurse Britania e Madhe e ka synim të viteve që vijnë që të ketë zero raste me kancer në qafën e mitrës...”, është shprehur ai.

Në Kosovë, fushata e vaksinimit kundër HPV-së ka nisur në shkurt të vitit të kaluar dhe gjatë vitit 2024 janë administruar 9 mijë e 990 doza, duke mbuluar rreth 85 për qind të vajzave të synuara për vaksinim.

Gjatë javës, në Kosovë ka qëndruar një delegacion nga Taxhikistani për t’u njohur me përvojën e Kosovës në implementimin për herë të parë të vaksinës kundër HPV-së. Taxhikistani pritet që të nisë vaksinimin me këtë vaksinë në tetorin e sivjetmë.

“Human Papillomavirus” është një grup virusesh që përfshin mbi 200 lloje të ndryshme. Disa prej tyre janë të padëmshme dhe kalojnë vetvetiu, ndërsa disa të tjerë mund të shkaktojnë probleme shëndetësore, përfshirë kancerin e qafës së mitrës, të vulvës, të organeve gjenitale dhe atë fytit.

Vaksina kundër HPV-së, bazuar në përvojat nga shtetet që e administrojnë prej vjetësh, është vlerësuar si shumë efektive në mbrojtje dhe është e rekomanduar si për vajzat ashtu edhe djemtë e moshave prej 9 deri në 14 vjeç, para nisjes së aktivitetit seksual.