Lifestyle

Një dozë e vaksinës HPV mund të jetë e mjaftueshme për të luftuar kancerin e qafës së mitrës

Vaksina hundër HPV

Vaksina hundër HPV

Foto: Associated Press

Një dozë e vetme e vaksinës kundër HPV mund të jetë e mjaftueshme për të luftuar kancerin e qafës së mitrës, tregon një studim i ri, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Një dozë e vetme e vaksinës HPV duket po aq efektive sa dy doza në parandalimin e infeksionit që shkakton kancerin e qafës së mitrës, raportuan studiuesit.

HPV, ose papillomavirusi njerëzor, është shumë i zakonshëm dhe përhapet përmes marrëdhënieve seksuale. Shumica e infeksioneve HPV largohen vetë, por disa mbeten në trup për vite dhe mund të shkaktojnë kancere, përfshirë kancerin e qafës së mitrës te gratë dhe disa kancere më të rralla si te gratë ashtu edhe te burrat.

Vaksinimi kundër HPV është rekomanduar për vajzat në SHBA që nga viti 2006, dhe vendi tashmë po sheh më pak raste të ndryshimeve parakancerogjene në qafën e mitrës te gratë në të 20-at, gjenerata e parë që e mori vaksinën kur ishin në moshë të re.

Megjithatë, si pasojë e kancerit të qafës së mitrës vdesin rreth 340,000 gra në mbarë botën çdo vit, dhe gjetjet e reja nga një studim i madh në Kosta Rika mund të nxisin përpjekjet globale për të mbrojtur më shumë vajza e gra të reja në vendet e varfra dhe të vështira për t’u arritur.

Studimi, i udhëhequr nga Instituti Kombëtar i Kancerit në SHBA, përfshiu më shumë se 20,000 vajza të moshës 12 deri në 16 vjeç. Studiuesit testuan dy lloje të ndryshme të vaksinave HPV që përdoren nëpër botë: gjysmës së vajzave iu dha një lloj, ndërsa gjysmës tjetër lloji tjetër.

Gjashtë muaj më vonë, gjysma e vajzave morën një dozë të dytë të vaksinës së caktuar, ndërsa pjesa tjetër mori një vaksinë tjetër të zakonshme për fëmijë.

Të gjitha u ndoqën për pesë vjet dhe iu bënë rregullisht analiza për llojet e HPV që kanë më shumë gjasa të shkaktojnë kancer. Rezultatet e tyre u krahasuan me një grup tjetër të pavaksinuar.

Një dozë e vetme e vaksinës HPV dha rreth 97 për qind mbrojtje, pothuajse e njëjtë me dy doza, përfunduan studiuesit nga NCI dhe Agjencia për Kërkime Biomedikale e Kosta Rikës. Gjetjet u botuan në New England Journal of Medicine.

“Studime të mëparshme kishin sugjeruar se një dozë mund të funksiononte mirë, por këto gjetje të reja konfirmojnë mbrojtje të fortë për të paktën pesë vjet”, ka thënë doktoresha Ruanne Barnabas, specialiste e sëmundjeve infektive në Spitalin Massachusetts General.

Ajo ka shtuat se kanë dëshmitë dhe mjetet për ta eliminuar kancerin e qafës së mitrës.

“Ajo që mbetet është vullneti kolektiv për t’i zbatuar ato në mënyrë të barabartë, efektive dhe tani”, ka shkruar Barnabas, e cila nuk ishte pjesë e studimit të Kosta Rikës.

SHBA rekomandon dy doza të vaksinës HPV që në moshën 11 ose 12 vjeç si për vajzat ashtu edhe për djemtë, pasi virusi mund të shkaktojë edhe kancere të fytit dhe zonave të tjera. Dozat shtesë rekomandohen për këdo deri në moshën 26 vjeç që nuk është vaksinuar.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreth 78 për qind e adoleshentëve 13-17 vjeç kanë marrë të paktën një dozë.

Por në nivel global, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se më pak se një e treta e vajzave adoleshente janë vaksinuar, dhe tashmë ka filluar të rekomandojë një ose dy doza, për të rritur mbrojtjen.

Studimi i ri nuk dha informacione për kanceret e tjera të lidhura me HPV, përveç atij të qafës së mitrës, dhe studiuesit kanë theksuar se nevojitet ndjekje më e gjatë.