Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova e Polonia vendosin marrëdhënie konsullore

Republika e Kosovës dhe ajo e Polonisë kanë vendosur marrëdhënie konsullore të martën.

Ministria polake e Punëve të Jashtme ka njoftuar se qeveritë e të dyja vendeve kanë lidhur marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve konsullore më 8 nëntor.

“Marrëveshja zbaton Rezolutën nr. 184/2022 të Këshillit të Ministrave të datës 5 shtator 2022 për vendosjen e marrëdhënieve konsullore ndërmjet Republikës së Polonisë dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJ-së polake.

Kjo marrëveshje e arritur së fundmi, sipas njoftimit, do t’u mundësojë qytetarëve polakë të kenë një nivel optimal të mbrojtjes konsullore në territorin e Kosovës.

Më tej është njoftuar se Polonia mbështet integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Si dhe jep kontributin e saj aktiv në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, duke përfshirë përmes kontingjentit ushtarak polak si pjesë e KFOR-it dhe misionit policor të EULEX-it në Kosovë, në të cilin kemi qenë kontribuuesi më i madh për shumë vite”, thuhet më tej në njoftim.