Arbëri

Kosova e dënon ashpër sulmin ndaj Trumpit

Sulmi ndaj Donald Trumpit

Sulmi ndaj Donald Trumpit

Foto: Associated Press

Krerët institucionalë e liderë të opozitës e kanë dënuar ashpër sulmin ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump. Ata e kanë cilësuar të papranueshme dhunën politike, teksa kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj Trumpit, familjes dhe të gjithë amerikanëve të prekur nga të shtënat në mitingun e Pensilvanisë. 


Osmani për sulmin ndaj Trumpit: Dhuna politike është e papranueshme

Presidentja Vjosa Osmani e ka dënuar ashpër sulmin ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili është plagosur të shtunën në mbrëmje gjatë tubimit të tij në Butler, Pensilvani.

Nëpërmjet një postimi në platformën X, Osmani ka thënë se dhuna politike është e papranueshme. 

“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me ish-Presidentin Donald Trump, familjen e tij dhe të gjithë amerikanët e prekur nga të shtënat në mitingun e Pensilvanisë. Çdo lloj dhune politike kudo është absolutisht e papranueshme dhe ne e dënojmë ashpër”, ka shkruar Osmani. 

FBI-ja ka thënë se ajo që ndodhi të shtunën ishte atentat nga 20-vjeçari, Thomas Matthew Crooks.

 

 


Konjufca: Sulmi ndaj Trumpit - sulm ndaj demokracisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se sulmi ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, është sulm ndaj demokracisë dhe pluralizmit politik.

Konjufca ka thënë se Amerika sot ka nevojë për bashkim rreth vlerave të saj fundamentale të lirive qytetare dhe politike. 

“Sot në mëngjes u shokuam me pamjet e atentatit ndaj Presidentit Trump. Ky atentat është një sulm ndaj demokracisë dhe pluralizmit politik. Falë Zotit, Presidenti Trump i shpëtoi këtij sulmi, ndërsa Amerika sot ka nevojë për bashkim rreth vlerave të saj fundamentale të lirive qytetare dhe politike. Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan në çdo rrethanë e përballë çdo sfide që synon ta cenojë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.


Opozita dënon sulmin ndaj Trumpit: Aktet e dhunshme, pengesë për realizimin e demokracive

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas atentatit ndaj ish-presidentit amerikan, aktualisht kandidat për mandatin e dytë, Donald Trump. 

Haradinaj ka thënë se aktet e dhunshme janë një pengesë për realizimin e demokracive, janë të papranueshme dhe duhet të ndalohen.

“E dënoj fuqishëm sulmin ndaj Presidentit Trump! Aktet e dhunshme janë një pengesë për realizimin e demokracive, janë të papranueshme dhe duhet të ndalohen. ShBA-ja është një shembull për demokracitë në të gjithë botën dhe së bashku ne përparojmë përmes diskursit paqësor të vendeve tona dhe respektit për sundimin e ligjit. I uroj Presidentit Trump shërim të plotë!”, ka thënë Haradinaj.

Edhe kryetari i partisë më të madhe opozitare, PDK-së, Memli Krasniqi, e ka dënuar tentim vrasjen ndaj ish-presidentit Trump.

“Akte të tilla të dhunës janë të papranueshme dhe paraqesin sulm direkt ndaj demokracisë. Urojmë që ish-Presidenti Trump të rikuperohet shpejtë nga ky sulm i rëndë ndaj tij dhe t'i rikthehet aktiviteteve të fushatës zgjedhore. Kosova dhe qytetarët tanë mbeten të palëkundur në mbështetjen tonë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Krasniqi. 

Ndërsa lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka uruar shërim të shpejtë Trumpit dhe kthim në aktivitetet e tij të përditshme, në të mirë të përparimit të demokracisë.

“Aktet e tilla duhet të na shërbejnë si moment reflektimi dhe zotimi për luftimin e dhunës të cilësdo natyre ajo qoftë dhe forcimin e bashkëpunimit dhe lirive, si themele për zhvillimin e demokracisë”, ka shtuar ai.


Kurti dënon sulmin ndaj Donald Trumpit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar atentatin ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trumpit.
Kurti në një postim në X i ka uruar atij shërim të plotë.

“U bashkohem liderëve të tjerë botërorë në dënimin e atentatit të tmerrshëm kundër ish-presidentit, Donald Trump. I uroj shërim të plotë dhe të shpejtë atij dhe të tjerëve të plagosur, dhe i dërgoj ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së spektatorit të vrarë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shtuar se mosmarrëveshjet politike në demokraci duhet të shprehen përmes formave paqësore.

“Mosmarrëveshjet politike në një demokraci duhet të shprehen gjithmonë përmes formave paqësore të fjalës dhe protestës dhe të zgjidhen me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa përjashtime”, është shprehur Kurti. 

LEXO EDHE: