Shërim të shpejtë i kanë uruar politikanët kosovarë ish-presidentit amerikan Donald Trump pas tentim atentatit ndaj tij një ditë më parë. Presidentja Vjosa Osmani e ka konsideruar dhunë politike sulmin ndaj Trumpit, e kryeministri Albin Kurti ka thënë se stabiliteti në SHBA është i rëndësishëm për demokracinë, sidomos për Kosovën
Udhëheqësit institucionalë e partiakë e kanë dënuar ashpër sulmin ndaj ish-presidentit amerikan dhe kandidatit për zgjedhjet e nëntorit, Donald Trump.
Ai u plagos në vesh gjatë një mitingu të dielën në Pensilvani.
Shërbimi Sekret bëri të ditur se një person u vra në audiencë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë nga të shtënat.
Agjentët e vranë sulmuesin në vendngjarje, thuhet, po ashtu, në komunikatë.
Presidentja Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetin social “X” ka thënë se dhuna politike është e papranueshme.
“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me ish-presidentin Donald Trump, familjen e tij dhe me të gjithë amerikanët e prekur nga të shtënat në mitingun e Pensilvanisë. Çdo lloj dhune politike kudo është absolutisht e papranueshme dhe ne e dënojmë ashpër”, ka shkruar ajo.
E kryeministri Albin Kurti dënoi sulmin ndaj Trumpit dhe tha se stabiliteti në SHBA është i rëndësishëm për demokracinë e sidomos për Kosovën.
“Atij i dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë. E dënojmë ashpër këtë akt kriminal dhe i shprehim ngushëllime familjes së pjesëmarrësve e spektatorëve që u vranë. Dhuna politike është e papranueshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku dhe aleati ynë më i madh dhe i pazëvendësueshëm; demokracia, siguria dhe stabiliteti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të rëndësishme për demokracinë, sigurinë dhe stabilitetin në mbarë botën, e veçanërisht në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Kurti
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shprehur i shokuar ndaj atentatit për vrasje të ish-presidentit Trump. Konjufca. Ka thënë se ky atentat është sulm ndaj demokracisë dhe pluralizmit politik.
“Falë Zotit dhe institucioneve të sigurisë, presidenti Trump i shpëtoi këtij sulmi, ndërsa Amerika sot ka nevojë për bashkim rreth vlerave të saj fondamentale të lirive qytetare dhe politike. Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan në çdo rrethanë e përballë çdo sfide që synon ta cenojë”, ka shkruar Konjufca.
Mesazhe solidariteti për ish-presidentin e SHBA-së shprehën edhe liderët e partive opozitare në Kosovë.
“Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës e dënojmë ashpër këtë sulm dhe solidarizohemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këto momente shqetësuese. Mendimet dhe lutjet tona janë me ish-presidentin Trump, familjen e tij dhe me popullin amerikan. Urojmë që ish-presidenti Trump të rikuperohet shpejt nga ky sulm i rëndë ndaj tij dhe t'iu rikthehet aktiviteteve të fushatës zgjedhore”, thuhet në postimin e Memli Krasniqit, kryetar i PDK-së.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka uruar Trumpin për shërim të shpejtë.
“I qëndrojmë afër në lutje z. Trump dhe familjes së tij, si dhe i urojmë shërim të shpejtë dhe kthim në aktivitetet e tija të përditshme, në të mirë të përparimit të demokracisë. Aktet e tilla duhet të na shërbejnë si moment reflektimi dhe zotimi për luftimin e dhunës të cilësdo natyre ajo qoftë dhe forcimin e bashkëpunimit dhe lirive, si themele për zhvillimin e demokracisë”, ka thënë ai.
Me një postim për këtë ngjarje doli edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“SHBA-ja është një shembull për demokracitë në të gjithë botën dhe së bashku ne përparojmë përmes diskursit paqësor të vendeve tona dhe respektit për sundimin e ligjit. I uroj presidentit Trump shërim të plotë!”, ka shkruar ai.
Donald Trump është i nominuari i Partisë Republikane si kandidat për president, në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor të këtij viti.
Ai e ka mbajtur këtë post në periudhën 2016-2020.
Trump, sipas njoftimeve zyrtare, është jashtë rrezikut për jetën.