Prishtinë, 15 nëntor - Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe Zolltan Varga, kryeshefi ekzekutiv i Shërbimit të Pagesave Kombëtare të Taksave në Hungari, nënshkruan sot marrëveshjen për bashkëpunim mes Kosovës dhe Hungarisë në implementimin e projektit të Sistemit Inteligjent të Transportit (ITS).
Ky projekt do të ketë kosto prej 5 milionë euro, shumë kjo që Kosovës i jepet nga shteti i Hungarisë në formë të kredisë së butë. Sistemi Inteligjent i Transportit do të ofrojë menaxhim të rrugëve njëjtë sikurse në vendet evropiane.
Ky sistem do të ndihmojë në kontrollin dhe mbikëqyrjen e automjeteve në rrugët nacionale dhe autostrada, si dhe në identifikimin e kundërvajtësve në trafikun rrugor. Me vendosjen e tarifave rrugore në të ardhmen, ky sistem mundëson procedimin e të gjitha pagesave dhe monitorimin e shfrytëzuesve të rrugëve.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ministri Lekaj deklaroi se kjo marrëveshje mes Kosovës dhe Hungarisë është vazhdimësi e projekteve që janë duke u realizuar me bashkëpunim mes dy vendeve. Ai tha se implementimi i këtij projekti do të fillojë në pranverën e vitit të ardhshëm, me vendosjen e portave në pikat kufitare dhe në pikat më të ndjeshme në rrugët nacionale dhe autostrada.