Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova parapëlqen praktikat hungareze të tarifave për autoudhë

Prishtinë, 21 qershor - Sot, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka takuar sot ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László Márkusz me bashkëpunëtorë. Bëhet e ditur se ata ka biseduan për rrjedhën e progresit të projekteve infrastrukturore, me theks të veçantë për Autostradën R6, „Arbën Xhaferi”, Prishtinë – Hani i Elezit, autoudhën Kijevë - Zahaq, modernizimin e hekurudhave në nivel vendi dhe hapësirën e lartë ajrore të Kosovës.

Interesimit të anbasadorit hungarez László Márkusz, lidhur me taksën rrugore për mirëmbajtjen e autoudhëve në vend, ministri Lekaj iu përgjigj se një gjë e tillë do të ndodhë në të ardhmen e afërt, por që do të bëhet në konsultim të gjerë të publikut dhe me një kosto që do të jetë e përballueshme për ekonominë e qytetarëve të vendit tonë.

Ministri Lekaj e ka informuar ambasadorin edhe për angazhimin që të krijohen kushtet e duhura për transportuesit përgjatë autostradave, që do të bëhen sipas kritereve evropiane, Sipas tij, duhet të ketë vend-pushimore për ngasësit e maunave që transportojnë mallra.

Ambasadori László Márkusz e njoftoi ministrin Lekaj se shteti i tij, nëpërmjet sistemit të ITS-it, ka arritur që të vendosë tarifën më të ulët për rrugët që ka dhe pa implikime shpenzimesh të mëdha, që do të ndikonin në rritjen e kostos e tarifës së rrugëve.

Ministri Lekaj tha se kjo është një mundësi e mirë edhe për vendin tonë, ngase ne si Kosovë po ndërtojmë rrugë kualitative, por po ashtu ato do të kenë edhe standarde të larta, ku ITS-i është një nga to dhe krejt kjo për faktin se ky sistem garanton monitorim 24 orësh të autorrugëve, lëvizje pa pengesa dhe vonesa dhe siguron kosto të ulët të tarifave rrugore.

Ministri Lekaj e ambasadori Márkusz kanë biseduar edhe për bashkëpunimin në menaxhimin e hapsirës së lartë ajrore të Kosovës si dhe mundësinë që jo shumë larg nga sot, autoritetet vendore të marrin përgjegjësitë e plota në menaxhimin e saj, sa i përket aviacionit civil, punë të cilën sot e kryen Hungaro Kontrolli.​