Për shkak të pandemisë Covid-19, në Gjykatën Themelore në Pejë këtë të enjte nuk është mbajtur seanca e planifikuar ndaj shefit të kabinetit të kryetarit të Pejës, Durim Sheremeti, dhe tre zyrtarëve të tjerë komunalë.
Një seancë tjetër është anuluar në Gjykatën Themelore në Prizren ndaj dy ish-drejtorëve të kësaj komune për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton KOHA.
Që nga 16 marsi shkaku i përhapjes së koronavirusit me vendim të Këshillit Gjyqësor nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore në gjykatat e Kosovës.
Dy javë pasi kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, ka takuar kryetarët e gjykatave për të diskutuar për situatën e krijuar pas vendimit për reduktimin edhe të aktiviteteve gjyqësore.
KGJK-ja ka diskutuar për mundësinë e mbajtjes së seancave për rastet që rrezikohen të parashkruhen.
Çoçaj ka kërkuar nga kryetarët e gjykatave që të identifikojnë këto raste dhe të bëhet një raport i detajuar për punën gjatë kohës së pandemisë.
Një ndër rastet që rrezikon të parashkruhet është ai i ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, për arratisjen nga QKUK-ja që kishte ndodhur në 2014-n.
Rasti mund të parashkruhet në muajin maj, pasi sipas Kodit Penal të Kosovës për veprën arratisje e personit nga liria mund të shqiptohet dënim me burgim deri në tre vjet.
Parashkrimi i një vepre penale ndodh kur periudha prej momentit të kryerjes së veprës e deri te përfundimi i gjykimit arrin dyfishin e kohëzgjatjes së dënimit të parashikuar.