Brenda dy ditësh, prej kur Qeveria ka ulur pagat në sektorin e drejtësisë, në Gjykatën Themelore të Gjilanit janë shtyrë 105 seanca, 95 në atë të Ferizajt, në të Gjakovës 73, ndërsa në të Pejës 51. Në Gjykatën Themelore të Prizrenit të enjten e të premten ishin planifikuar 60 seanca, porse ashtu si në të gjitha gjykatat e tjera shumica e tyre nuk janë mbajtur
Qindra seanca gjyqësore janë anuluar qëkur Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial vendosën të reduktojnë punën vetëm në raste esenciale, në kundërshtim të vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve.
Brenda dy ditësh në Gjykatën Themelore të Gjilanit janë shtyrë 105 seanca, 95 në atë të Ferizajt, në të Gjakovës 73, ndërsa në të Pejës 51. Në Gjykatën Themelore të Prizrenit të enjten e të premten ishin planifikuar 60 seanca, porse ashtu si në të gjitha gjykatat e tjera, shumica e tyre nuk janë mbajtur.
Bazuar në të dhënat nga këto gjykata, duke i përfshirë të gjitha degët e tyre nëpër komunat më të vogla, numri i seancave të anuluara rezulton të jetë 321.
Gjykata Themelore e Prishtinës, ajo e Prizrenit dhe e Mitrovicës nuk kanë ofruar të dhëna mbi seancat e anuluara e në Prishtinë siç e ka konfirmuar zëdhënësja e Themelores, Mirlinda Gashi, vetëm të enjten ishin rreth 150 seanca pa i llogaritur ato të degëve të saj në Podujevë, Drenas e Lipjan.
Në organizatat që e monitorojnë gjyqësorin, kanë vlerësuar se sistemi është në limitet e tij.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) kanë thënë se i vetmi rast korrupsioni i mbajtur gjatë së premtes ishte në Prizren, ku gjyqtarja Teuta Krusha mbajti seancën në rastin ku po akuzohen shtatë ish-drejtorë komunalë për korrupsion me leje ndërtimore. E arsyeja e mbajtjes, sipas gjyqtares, ishte se rasti është i shënjestruar.
Moszhvillimi i seancave, sipas hulumtuesit të kësaj organizate, Gëzim Shala, ka pasoja të mëdha, sidomos për rastet penale.
“Vetëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë shtyrë rreth 150 seanca gjyqësore dhe që në këtë rast ka pasur me vite qytetarë që rasti i tyre të caktohet dhe për shkak të kësaj rastet e tyre janë shtyrë. Për më tepër, nëse kjo situatë krijon rastet penale të cilat janë në shqyrtim gjyqësor dhe u kalon afati prej tre muajve që nga mbajtja e seancës së fundit, atëherë këto raste duhet të kthehen në pikën zero, edhe puna që bënë deri në një stad të caktuar penal duhet të përsëritet dhe që definitivisht të gjitha këto pasoja i vuajnë qytetarët”, ka thënë Shala.
Këshilli Prokurorial e ka publikuar një vendim që mban datën 24 nëntor, e ku paraqiten gjithsej katër lloje rastesh apo kërkesash të cilat i obligojnë prokurorët t’i trajtojnë. Ato përfshijnë kallëzimet penale me propozimet për caktim të masave për sigurimin e të pranisë së të pandehurit në procedurë penale, kallëzimet penale për veprat penale të dhunës në familje, kërkesat për sekuestrim të përkohshëm dhe t’i përfundojnë “vetëm aktakuzat që janë në përfundim të afatit të hetimeve”.
Të enjten Këshilli Gjyqësor vendosi se llojet e punëve që do t’i kryente deri më 8 dhjetor do të jenë: masat për sigurinë e të pandehurve në procedurë, shqyrtimet për rastet me paraburgim dhe rastet që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullime mendore, trajtimi i kërkesave për sekuestrim e masat e përkohshme, ekzekutimi i vendimeve penale, çështjet e dhunës në familje, çështjet e sigurimit të kërkesë-padisë, përmbarimi i vendimeve për rastet e dorëzimit të fëmijës, realizimi i kontaktit dhe alimentacionit, si dhe rastet e tjera në çfarëdo procedure kur është në pyetje interesi i fëmijës, procedurat për dërgimin e personave në rehabilitim si dhe të gjitha shërbimet administrative.
Rastet për të cilat parashihen të mbahen seancat sipas vendimit të Këshillit Prokurorial paraqesin pakicë në raport me ato që janë shtyrë.
Në Gjykatën Themelore të Pejës, sipas zëdhënëses Tringa Zhuti, të enjten u mbajt vetëm një seancë për caktimin e masës ndaj një të pandehuri, ndërsa 20 të tjera janë shtyrë. Ndërsa në të premten u mbajtën pesë seanca dhe u shtynë 31.
“Me datë 25 nëntor 2022 – janë anuluar tridhjetenjë 31 seanca gjyqësore ndërsa, konform vendimit të KGJK-së me të cilën janë përcaktuar punët esenciale, janë mbajtur dy seanca gjyqësore me bazë juridike besim i fëmijëve, dy seanca gjyqësore për dhunë në familje dhe një seancë gjyqësore lidhur me propozimin për caktim të masës së sigurisë”, ka thënë Zhuti në një përgjigje për KOHËN.
Nga të dhënat e Gjykatës së Pejës del që mesatarisht për këto dy ditë janë mbajtur vetëm 10.1 për qind e seancave të planifikuara.
Këshilli Prokurorial e ai Gjyqësor kanë bërë thirrje që Qeveria të zmbrapset prej vendimit për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve. Kundër vendimit të Qeverisë ka dalë edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, sipas së cilës pavarësia e sistemit të drejtësisë është parim themelor që duhet të merret parasysh nga vendet që e synojnë integrimin në BE.