Shumica e seancave në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë anuluar.
Nga kjo Gjykatë e kanë konfirmuar se të enjten Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka listuar tetë shërbimet esenciale që do të kryhen. Ky vendim, sipas njoftimit të Themelores, thuhet se do të zbatohet nga 24 nëntori deri më 8 dhjetor 2022.
Sipas njoftimit, shërbimet që do të ofrohen janë: Procedimi dhe mbajtja e seancave lidhur me masat për sigurinë e të pandehurve në procedurë, shqyrtimet për rastet me paraburgim dhe rastet që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullime mendore, trajtimi i kërkesave për sekuestrim dhe masat e përkohshme, ekzekutimi i vendimeve penale, çështjet e dhunës në familje, çështjet e sigurimit të kërkesë padisë, përmbarimi i vendimeve për rastet e dorëzimit të fëmijës, realizimi i kontaktit dhe alimentacioni si dhe rastet e tjera në çfarëdo procedure kur është në pyetje interesi I fëmijës, procedurat për dërgimin e personave në rehabilitim si dhe të gjitha shërbimet administrative.
Ndër seancat që janë anuluar të enjten, është ajo për 53-milionëshin ku i akuzuar është edhe ish-ministri Pal Lekaj si dhe ajo për rastin “Stenta 2”
Një numër i vogël seancash është mbajtur në mëngjesin e hershëm, sipas avokatëve me të cilët ka folur KOHA.
Mbrëmë Këshilli Gjyqësor i Kosovës paralajmëroi se pas vendimit të Qeverisë për ulje pagash në sistem të drejtësisë do të mbahen vetën seancat e natyrës urgjente apo esenciale.
KGjK-ja në komunikatën e saj kishte shkruar se llojet konkrete të seancave që do të mbahen do t'i caktojë pas mbledhjes së sotme e planifikuar prej orës 9.
Edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, mbrëmë ka vendosur që prokuroritë të ofrojnë vetëm shërbimet esenciale.
Ndërkohë Betimi për Drejtësi ka raportuar se edhe Gjykata Themelore në Ferizaj, po respekton vendimin e KGJK-së, që puna e gjykatave të reduktohet dhe të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale.
Këtë e ka konfirmuar, Gentiana Hoxha, nga zyra për informim e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
“Gjyqtarët janë duke i mbajtur seancat të cilat i vlerësojnë si esenciale duke vepruar sipas vendimit të KGJK-së, kështu do të vazhdohet deri në marrjen e listës së shërbimeve esenciale”, ka thënë Hoxha.