Pesë kontrata të rëndësishme kanë qenë pjesë e tryezës që trajtoi kontratat e dëmshme të cilat zbatohen nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe pasojat që kanë ato.
Kontrata për autostradën për Shkup, kontrata me pasaporta, kontrata e Dardafonit, AXOS-i, si dhe procesi i privatizimit të Brezovicës, janë numëruar në këtë rast.
Alban Hashani, drejtor ekzekutiv i institutit Riinvest, ka prezantuar një studim të hartuar nga ky institut, ku ka përmendur mungesën e transparencës dhe profesionalizmit.
Ai ka kërkuar ngritje të rolit të prokurorisë në këtë aspekt, si dhe të atij të Kuvendit.
“170 milionë potencialisht do të ishte dëmi në qoftë se krejt palët paditëse do të fitonin në kontest me qeverinë e Kosovës. Lajmi i mirë është, apo i keq, që veç 65 milionë po i humbim, pra në qoftë se i vëmë në perspektivë këto janë diku te 5 për qind e buxhetit të Kosovës, potencialisht në qoftë se rasti i Dardafonit vendoset prapë jo në favor të Kosovës, kjo mund të rritet në 90 milionë”, tha Hashani, raporton KsP.
Ai tutje ka përmendur mangësitë kryesore të kontratave.
“Së pari është mungesë e profesionalizmit, pra vërehet qartë se ka mungesë të profesionalizmit në dizajnimin e kontratave publike, së dyti ka mungesë të theksuar të transparencës, dhe së treti ka dyshime po edhe vërtetime të keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, u shpreh Hashani.
Ai ka shtuar se përgjegjësia për këtë i takon qeverisë e cila si ekzekutiv ka përgjegjësi për këtë gjë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Vladrin Lluka, ka thënë se problem është qëndrimi karshi kontratës për të cilën është bërë zotimi.
“Problemi këtu unë besoj më shumë qëndron te qëndrimi karshi asaj kontratës që ne veç jemi zotuar, ajo gjithmonë na ka shkaktuar neve probleme, se nuk i kemi qëndruar ballë, ose të paktën jemi pajtuar, kemi nënshkruar kontratë ndoshta edhe tu e dit që s’kemi me arrit mi përmbushë ato kritere të cilat jemi pajtuar në kontratë, prandaj nuk e fajësoj, po flas specifikisht te kontratat e mëdha, ato janë të përpiluara në mënyrë jashtëzakonisht profesionale, mirëpo ajo pjesa e tolerancës që është bë, do me thënë mungesa e profesionalizimit që nuk e kanë ditë cilat janë kapacitetet e veta mi përballu ato kontratë, qaty është problemi kyç dhe ajo na ka shkaktuar neve shumë probleme”, tha Ministri Lluka.
Ai ka thënë se prezantimi në arbitrazhe duhet të bëhet nga kompani serioze, sepse problem është edhe prezantimi në arbitrazhe.
Në mungesë të ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, fjalën e mori zëvendësministri Fehmi Mujota, i cili tha se secila qeveria duhet t’i zbatojë kontratat që merr nga qeveria paraparake, sepse në të kundërtën mund të shkaktojë dëme.
“Unë mendoj se ka pas pak defekt, nëse mund të thuhet tek faji, në qasjen serioze në momentin kur ka ndodh ndërrimi i qeverive, unë e them me kompetencë dhe përgjegjësi, po e them publikisht po të kish mbaru mandati ose po të kisha edhe një mandat tjetër ministër, kontrata me Bechtel Enkën, Shkup-Hani i Elezit s’do ta kishte asnjë dilemë dhe asnjë defekt. Pse. Dikush do të pyeste pse? Pse, nuk do të kisha kërkuar shtyrjen e kontratës”, tha Mujota.
Deputeti Korab Sejdiu ka thënë se Qeveria ka përgjegjësi ndaj publikut, kurse kompania private nuk ka përgjegjësi për paranë publike. Sipas Sejdiut, klauzola e konfidicalitetit nuk duhet të ketë vend në kontrata publike.
“Për mua është shumë e pakuptimtë kur ty, një ministër, ose një qeveri në përgjithësi, e merr një vendim pa e marrë mendimin e një kompanie e cila po paguhet diku 8 milionë euro pikërisht për atë arsye, edhe thirret në një vendim kur zyrtari qeveritar, që unë po të garantoj që na nuk kemi kompetenca të brendshme, nuk kemi kapacitet të brendshëm për të vlerësuar diçka të tillë në administratën tonë, i kuptojmë të gjitha problemet që i kemi me administratën publike, unë po të them me përgjegjësi të plotë që ne nuk kemi kapacitet të brendshëm, për atë dalim edhe e marrim një kompani serioze të cilat nuk japin vetëm interpretim ligjor çka po thotë neni i caktuar, por ata në fakt dalin edhe nëse pretendimi i palës private e cila është duke e zbatuar një kontratë, duke ndërtuar një autostradë apo çfarëdo projekti tjetër, e bën një kërkesë, por tash pse ata e bëjnë kërkesën s’do të thotë ti të ua paguash”, tha Sejdiu.
Qeveria e Kosovës është duke u përballur me konteste gjyqësore, të cilat rrjedhin si pasojë e formulimit dhe zbatimit joadekuat të kontratave publike. Këto konteste gjyqësore tregojnë se Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera publike nuk kanë arritur të dizajnojnë kontrata të plota dhe të respektojnë detyrimet që dalin nga marrëdhëniet e tilla kontraktuale.