Arbëri

Konkursi për Sekretarin e UP-së vlerësohet i jashtëligjshëm, Këshilli nuk arrin ta anulojë

Këshillit Drejtues (KD) i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk arriti ta anulojë konkursin për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm për shkak të mungesës së pesë anëtarëve.

Bedri Bahtiri, Florim Isufi, Kemajl Bislimi dhe Naser Kabashi munguan në mbledhjen e së mërkurës, me arsyetimin se janë të zënë me procesin zgjedhor për anëtarët e KD-së.

Gjatë mbledhjes kryesuesja e KD-së, Arbëresha Nelaj Turjakaj, ka thënë se konkursi duhet të anulohet, pasi është i jashtëligjshëm.

Konkursi për Sekretar të Përgjithshëm të UP-së ishte shpallur më 31 mars. UP-ja e kishte shpallur si konkurs të brendshëm, por më pas u shpall edhe si i jashtëm në periudhën 4 maj - 18 maj.

Konkurrimi i kandidatëve u bë në periudhën e parë, kur konkursi ishte i brendshëm, gjë që sipas interpretimit të institucioneve përgjegjëse, e bën të jashtëligjshëm..

“Është dhënë një interpretim nga MPB-ja, që duhet të marrim një veprim sot dhe vazhdimisht edhe shkurtimisht po ju tregoj, që pozita e Sekretarit duhet me qenë publikë që lejon konkurrimin e të gjithë personave gjë që nuk ka ndodhur. Ne duhet të procedojmë meqenëse ne konsiderojmë që konkursi duhet të anulohet, pasi është i jashtëligjshëm”, ka thënë Nelaj Turjakaj.

Në interpretimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik, thuhet se konkursi do të duhej të ishte i publik bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publikë.

I ashpër ndaj mungesës së anëtarëve ishte Altin Sahiti, zëvendëskryesues i KD-së. Ai tha se mosprania e tyre është politike.

“Ky bojkotim është duke u bërë për një arsye shumë të ulët dhe kjo është shumë e keqe për imazhin e UP-së, i humbet në këtë mënyrë duke hyrë në lojëra dhe politika të ndryshme për shkak se e lejon sistemi, për shkak se duhet dikush me marr vota”, ka thënë Sahiti. Ai shtoi se ndihet i turpëruar që është pjesë e këtij kolegjiumi.

Alberta Troni, anëtare e KD-së nga personeli akademik i universitetit, ka thënë se interesat personale duhet të ndahen nga përgjegjësia ndaj detyrës.

“Unë po e komentoj këtë mosardhje meqenëse jemi në fund të mandatit, po flas për procese të mëdha. Këto gjëra janë etike për UP-në, për të ardhmen tonë. Nëse ka interesa personal unë jam kundër. Procesi duhet të vazhdojë, puna duhet të vazhdojë”, ka thënë ajo.

Në këtë konkurs kandidatë janë ish-Sekretari i Përgjithshëm, Esat Kelmendi dhe ushtruesi i detyrës së Sekretarit, Besfort Krasniqi, të cilët kaluan fazën e testit me shkrim në garë me katër kandidatë të tjerë.