Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rihapet konkursi për pozitën e Sekretarit të UP-së

Është rihapur konkursi për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 14 nëntor të këtij viti.

Fillimisht ky konkurs ishte hapur në maj të këtij viti, mirëpo ishte pezulluar në fazën e intervistimit të kandidatëve, pasi Ministria e Punëve të Brendshme vlerësoi se konkursi do të duhej të ishte shpallur i jashtëm dhe jo i brendshëm.

Përveçse konkursi është shpallur i brendshëm edhe një sërë parregullsish janë hasur në këtë proces. Dokumenti për hapjen e konkursit nuk ka nënshkrim e po ashtu i mungon identiteti i personit përgjegjës për shpalljen e konkursit.

Në garë ishin ish-sekretari Esat Kelmendi dhe ushtruesi i detyrës të kësaj pozite, Besfort Krasniqi.

Pozita e Sekretarit ka mbetur me ushtrues detyre që nga tetori i vitit 2021, pasi me përfundimin e kontratës të Sekretarit të atëhershëm Esat Kelmendi, rektori Naser Sahiti kërkoi që t’ia vazhdojë mandatin Kelmendit për shkak “të arritjeve të tij në këtë pozitë”.

Edhe Besfort Krasniqi zgjidhet sekretar i UP-së Arbëri Besfort Krasniqi zgjidhet sekretar i UP-së

Mirëpo, prapë përmes një interpretimit të MPB-së, u konstatua se nuk ka bazë ligjore që mandati të vazhdohet me automatizëm.

“Bazuar në paragrafin 4 të nenit 2 të Ligjit nr 06L-114 për Zyrtarët Publik, të punësuarit në sektorin e arsimit kanë statusin e nëpunësit të shërbimeve publike. Në mungesë të akteve nënligjore për rekrutimin, klasifikimin, transferimin, vazhdimin e mandatit, sistemin dhe elementeve të tjera të marrëdhënies së punës, për nëpunësit e shërbimeve publike, duhet të zbatohen drejtpërdrejt dispozitat e Pjesës II respektivisht nenet 6,7,8 dhe 9 si dhe dispozitat e Pjesës V (nëpunësit e shërbimeve publike, respektivisht nenet prej 64 deri në 74 të Ligjit Nr.06l-112 për Zyrtarët Publik. Duke marr për bazë dispozitat e lartcekura, konstatojmë se me mbarimin e mandatit të nëpunësve të shërbimit publik nuk ka bazë ligjore për vazhdimin e mandatit”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Pas kësaj, Këshilli kishte vendosur që mos t’ia vazhdojë mandatit Kelmendit, në vend të tij ishte emëruar si ushtrues detyre, Besfort Krasniqi. Ndërkaq Kelmendi pas largimit nga pozita e Sekretarit, është emëruar drejtor i Zyrës Ligjore në UP.