Konkursi për Sekretar të përgjithshëm të UP-së i konstatuar si i jashtëligjshëm nga Ministria e Punëve të Brendshme dështoi të anulohet për herë të dytë.
Kjo për shkak se në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Këshilli Drejtues për t’i dhënë epilog konkursit për sekretar të përgjithshëm munguan katër anëtarët e personelit akademik të universitetit (Bedri Bahtiri, Kemajl Bislimi, Naser Kabashi dhe Florim Isufi)
“Takimi fatkeqësisht duhet të anulohet prapë, nuk kemi ndonjë përgjigje zyrtare prej anëtarëve të Këshillit apo ndonjë shkresë elektronike, ndonjë arsyetim për takimin e sotëm. Arsyetimin e kemi pasë për takimin e datës 15.06 që anëtarët nuk do të jenë prezent për shkak të procesit zgjedhor të anëtarëve të tjerë të Këshillit Drejtues”, tha Arbëresha Nelaj-Turjakaj, kryesuese e Këshillit Drejtues.
Mungesa e tyre po shihet e qëllimshme nga zëvendëskryesuesi i Këshillit, Altin Sahiti.
“Kjo ka një arsye, duke bojkotuar këtë mbledhje anëtarët e Këshillit Drejtues faktikisht po bëhen palë e një parregullsie, në këtë rast nëse themi se konkursi duhet të jetë i hapur dhe publik, realisht është i hapur i brendshëm, ata vetëm po bëhen palë. Nëse po bëhen palë ata kanë hyrë në pazare për vota të tyre”, tha Sahiti.
Bahtiri e Isufi, thanë për KOHËN se mbledhja nuk është urgjente sa për t’i anuluar obligimet e tyre akademike.
“Nuk ka asnjë pikë urgjente dhe unë kisha obligime tjera të përcaktuara kohë më parë, ndërsa thirrja e këtyre mbledhjeve të fundit është jashtë ditës që e kemi të caktuar dhe itinerarit të zakonshëm. Lidhur me mungesën time kanë qenë në dijeni ata që duhet të jenë, ndërsa të gjitha pikat e dakorduara në rend dite do të trajtohen në mbledhjen e javës së ardhshme me qetësi dhe pa ngutje. Meqenëse nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, nuk ka asnjë arsye për shqetësim të askujt, pasi që është imperativ për secilin respektimi i të gjitha dispozitave të Kushtetutës, Ligjit për Arsimin e Lartë, Statutit të UP-së dhe aktet e tjera nënligjore, si dhe respektimi i të gjitha procedurave që përcaktohen me to, ndërsa çdo devijim nga aktet juridike tërheq pas vetes pavlefshmërinë e çdo veprimi juridik. Andaj, ne nuk kemi asgjë konkrete dhe as urgjente para vetes që na bën të besojmë se duhet të shtyjmë provimet, konsultimet dhe aktivitetet e tjera me studentet tanë, për të marrë pjesë në një mbledhje të thirrur për sot!”- tha Bahtiri.
MPB-ja thekson se konkursi i shpallur nga Rektorati më 31 mars të këtij viti, është i brendshëm dhe jo publik, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për Zyrtar Publik.
Por Sahiti thekson se vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk duhet të shpërfillet. Ai shton se konkursi duhet të anulohet menjëherë nga ana e Rektoratit dhe jo të vihet në votim te Këshilli Drejtues.
"Sipas meje ligji nuk duhet të diskutohet por vetëm të zbatohet dhe në asnjë moment të hidhet në votim, prej anës së Rektorit është thënë se duhet të merret një vendim nga Këshilli Drejtues, mirëpo askund as në ligj as në statusin e UP-së nuk thotë që duhet të votohet ky konkurs apo duhet të votohet ligji, që për mua është e papranueshme komplet", tha Sahiti.
E, për konkursin e jashtëligjshëm të shpallur nga Rektorati, shefi i këtij institucioni Naser Sahiti nuk pranoi të prononcohet para kamerës. Ai tha se nuk ka vendim që konkursi është i jashtëligjshëm, por ka vetëm interpretim nga Ministria.
Përveçse konkursi është shpallur i brendshëm edhe një sërë parregullsish janë hasur në këtë proces. Dokumenti për hapjen e konkursit nuk ka nënshkrim e po ashtu i mungon identiteti i personit përgjegjës për shpalljen e konkursit.
Komisioni vlerësues i Universitetit të Prishtinës për pozitën e Sekretarit të UP-së ka pezulluar konkursin në fazën e intervistimit me gojë të kandidatëve deri në marrjen e vendimit nga Rektorati. Në garë ishin ish-sekretari Esat Kelmendi dhe ushtruesi i detyrës të kësaj pozite, Besfort Krasniqi.