Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konjufca: Serbia ende s’është ndëshkuar për gjenocidin në Srebrenicë e Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka përkujtuar 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se në korrik të vitit 1995, forcat ushtarake serbe vranë dhe masakruan mbi 8000 burra, gra, djem dhe të mitur boshnjakë në Srebrenicë.

Sipas tij, dy gjykata ndërkombëtare këtë mizori serbe e cilësuan me emrin e vërtetë - Gjenocid, ndërsa Parlamenti Evropian e shpalli 11 korrikun si "Ditë e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë".

“Edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës tashmë ka miratuar Rezolutën përmes të cilës e dënoi gjenocidin në Srebrenicë ndaj popullit boshnjak. Por e liga ende jeton përderisa në Srebrenicë, sikur edhe gjithandej nëpër Kosovë, vazhdojnë të mbeten të hapura shumë varre, në pritje të trupave të të zhdukurve me dhunë që kërkojnë prehje. Serbia ende nuk e pranon dhe nuk është ndëshkuar për gjenocidin e ushtruar me zjarr e hekur në Srebrenicë dhe në Kosovë. Me drejtësinë nuk janë ballafaquar ende mijëra kriminelë serbë të luftës. Sot Serbinë e udhëheq një president i cili në atë kohë ishte ministër i kryekriminelit Milosheviq. Ai zotohej se ‘për çdo serb të vrarë do t'i vrasim 100 boshnjakë’”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se shpreh pikëllimin e thellë për njerëzit e pafajshëm që pësuan në gjenocidin e Srebrenicës dhe ndanë dhimbjen e pafund me familjarët e tyre.