21:30 - Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është shprehur optimist për pajtim në partinë e tij, pas përçarjeve të fundit.
Ai ka thënë se grupi kundër Albin Kurtit kryetar të partisë, këtë e kishte vi të kuqe që nuk e kalon, por pret që ai grup të mendojë mençur dhe të vendosë për qëndrim në parti.
“Nuk mendoj që do të dalin nga VV-ja. Mendoj që do të pajtohen. Mendoj që do të jenë aq të mençur politikisht sa të vlerësojnë drejt alternativën mes dëmtimit të VV-së duke u ndarë dhe vazhdimit së bashku duke ia prezantuar Kurtit një pako reformash”, ka thënë Konjufca në Rubikon të KTV-së.
Sa i përket një debati televiziv me Dardan Molliqajn, Konjufca ka thënë se “s’e ka gajle”.
Konjufca thotë se Ahmeti është figura e dytë për nga fuqia në Vetëvendosje
21:25 - Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është figura e dytë për nga fuqia në Vetëvendosje, sipas deputetit të kësaj partie, Glauk Konjufca.
Pas përplasjes së fundit në Vetëvendosje është folur shumë edhe për Ahmetin, njerëzit më të afërt të të cilit kanë dalë në grupin kundër kryetarit Albin Kurti. Megjithatë, Molliqaj nuk pret që Ahmeti të largohet nga kjo parti. Ai thotë se madje e ka menduar gjithmonë si kryetar pas Albin Kurtit.
“Mendoj që Ahmeti do të jetë pjesë shumë e rëndësishme e Vetëvendosjes. E kam menduar gjithmonë se pas Albinit më së miri do të ishte Shpendi kryetar. Sepse ai është figura e dytë për nga fuqia. Shikojeni numrin e votave, udhëheqjen në Prishtinë. I bie natyrshëm se është figura e dytë në Vetëvendosje”, ka thënë ai.
Konjufca: Kurti në një moment nuk ndihmoi në pajtim në Vetëvendosje
21:12 - Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se në një moment kryetari aktual i partisë, Albin Kurti, nuk kishte ndihmuar në heqjen e përplasjeve mes tij dhe Dardan Molliqajt.
Kohë më parë, Konjufca ka treguar se bashkë me ish-kryetarin Visar Ymeri kishte bërë një draftmarrëveshje në të cilën kishin pasur kërkesa për Kurtin dhe Molliqajn.
“Shkruante që Albini të hiqte nga mendja e tij që çdo problem që e kemi në VV, apo çalim në organizim ka lidhje me ndonjë skemë të jashtme, që dikush është i paguar apo i influencuar. E dyta që Dardan Molliqaj të pajtohej që të ecim së bashku me VV-në. Molliqaj ishte i gatshëm që të hiqej nga çdo pozitë në VV. E kam konsideruar pozitive këtë gatishmëri. Ishte i gatshëm që nëse problemi ishte personal ishte gatshëm të largohej. Në këtë pikë mendoj se Albini nuk na ndihmoi, sepse kishte refuzuar këtë draftmarrëveshje. Në diskutimet me Ymerin që t’ia nxirrnim idenë pse s’po e pranon ai thoshte se kjo të mbetej në histori si një akuzë e imja për Dardanin se qenka njeri i Baton Haxhiut apo i Stanishiqit apo i kujtdo qoftë gjë që do të më vishte një mendim mua një mendim që s’e kam për Dardanin. Nuk mendoj që Kurti mendon që Molliqaj ka lidhje me Serbinë. Nëse Kurti mendon kështu e ka gabim dhe është aq e gabueshme sa Dardan Molliqaj që mendon se Kurti ka lëvizur nga projekti kombëtar”, ka thënë Konjufca në Rubikon të KTV-së.
Konjufca: Molliqaj i ka bërë goditje nën brez Kurtit
20:56 - Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se Dardan Molliqaj ka bërë goditje nën brez me deklaratat e tij kundër Albin Kurtit.
Sipas Konjufcës, deklaratat e Molliqajt ndaj Kurtit kanë vënë në pikëpyetje të madhe qëndrimin e Kurtit në projektin ndërkombëtar, e ka afruar me islamin politik dhe se Kurti nuk ka qëndrim kundër PDK-së. Këto deklarata të Molliqajt, Konjufca i quan të paqëndrueshme dhe vetëm për goditje.
“Kurti nuk ka thënë se është pro bashkëpunimit me PDK-në. Ka thënë ‘a mos e keni menduar ndonjëherë që duke thënë dhe duke krijuar një kornizë logjike, politike, që vetëm LDK-ja për neve përbën partnerin e sigurt dhe të vetmin me të cilin mund të bëhet qeveria e ardhshme. Mos kështu duke dashur të bëjmë mirë dhe të japim shpresë, mos e ka një efekt anësor që po ja japim një kredit hazër LDK-së të cilin po e shfrytëzon sikur që e shfrytëzoi gabimisht në qershor, në zgjedhjet më 2017, kur refuzoi Vetëvendosjen dhe dukej sikur VV-ja po i lutej e LDK-ja sikur po rrinte. A mos duhet të hiqet kjo, pra që PDK dhe LDK-ja të konsiderohen të barabarta dhe të jemi të hapur njësoj ndaj të dyjave’. Nëse thua që Albin Kurti u bë me PDK-në është goditje e panevojshme e qëllimshme”, ka thënë Konjufca.
Ai e ka quajtur propagandë deklaratën e Molliqajt se "ekziston një incizim të cilin Kurti s’po dëshiron të dalë sepse ai aty ka thënë diçka”.
Këto deklarata i ka krahasuar me të kryetarit të PDK-së Kadri Veseli.
Konjufca ka thënë se Molliqaj me deklaratat e tij ka treguar një hidhërim personal dhe efektet nga hidhërimi e kanë bërë të gatshëm të bëjë goditje të dëmshme edhe për vetë Vetëvendosjen.
Konjufca shpjegon strategjinë e tij për pajtim në Vetëvendosje
20:28 - Glauk Konjufca, që është caktuar për bisedime mes dy palëve që kanë mosmarrëveshje në Vetëvendosje, ka treguar se u ka propozuar palëve një zgjidhje me tri shtylla.
Sipas tij, ideja ka qenë që grupi kundër kryetarit Albin Kurti të mos e ketë më problem figurën e tij.
“E para, një pako e reformave në Vetëvendosje. Të gjitha pakënaqësitë që kemi t’i fusim në një pako të reformave. E dyta, një marrëveshje e përgjithshme e forumeve se si duhet maksimizuar fuqinë politike të Vetëvendosjes përmes vendosjes së njerëzve më të rëndësishëm në pozita me rëndësi. E treta, këto të dyja t’i propozohen Kurtit dhe Albin Kurti të pranohet me këto domosdo”, ka shpjeguar Konjufca strategjinë e tij për pajtim në Vetëvendosje.
Konjufca tregon pse refuzoi të bëhej kryetar i VV-së
20:25 - Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se nuk ka pranuar të bëhej kryetar i partisë.
Sipas tij, grupi kundër Kurtit kishte bërë plane që të bëjë Konjufcën kryetar.
“Unë mora vesh nga Shqipëria se po duan të më bëjnë kryetar, në tetor ose nëntor të vitit të kaluar. Thash cila është situata e re, çka paska ndodh. Thotë këtu është krijuar një grup që mendon se VV mund të rregullohet nëse Glauk Konjufca bëhet kryetar. Ata e kishin bërë një projekt për mua kryetar pa folur me mua fare. Kjo s’është në rregull. Merreni me mend të bëni dikë kryetar pa folur fare me të. Kjo s’e ka lezetin e befasisë. Ti të marrësh vesh që një grup i krijuar dëshiron të të bëj ty kryetar. Ua kam shpjeguar në mënyrë të qetë pa hidhërim. Ua kam shprehur shumë qetë që s’është interesi im. Boikeni ishte ai me të cilin ka folur Dardani dhe Boikeni më tha këtë. Kjo s’ka qenë fare korrekte nga ta.”, ka thënë Konjufca.
Më tej Konjufca ka treguar arsyet përse ka refuzuar një detyrë të tillë.
“Për kryetar duhet të kesh disa elemente të domosdoshme. Duhet të kesh ambicie për një punë të caktuar, unë s’e kam. Profili im si funksionoj unë në jetën politike nuk është ai pozicion në të cilin ndihem rehat. Nuk kam vullnet, nuk dua”, ka thënë Konjufca në Rubikon të KTV-së.
Konjufca thotë se përplasja në VV nisi kur Kurti i hyri në terren Molliqajt
Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se përplasjet në këtë parti mes tash kryetarit Albin Kurti dhe ish-sekretarit organizativ Dardan Molliqaj nisën kur Kurti nisi të merrej me organizim të partisë.
Në Rubikon të KTV-së, Konjufca ka bërë të ditur se kishte dëgjuar nga Molliqaj për herë të parë se ka mospajtime me Kurtin në vitin 2015. Ndërsa për kritikën e Kurtit ndaj Molliqajt, Konjufca thotë se e ka dëgjuar për herë të parë në tetor të vitit 2016.
“Kurti viteve të fundit nisi të merrej me teorinë e organizimit, siç e quan ai. Edhe unë e kam krijuar profilin tim duke u marrë me politika dhe jo me organizata. Kurse Dardani ka qenë gjithmonë dhe e ka krijuar profilin në VV si njeri që merret me struktura. Tash Albini i ka hy në terren. Në një moment Albini e ka shkruar edhe një tekst se si ai mendon që duhej të ishte e organizuar Vetëvendosje. Teksti ka qenë gjatë vitit 2014, por në vitin 2015 mua më ka thënë Molliqaj për herë të parë që ka disa dallime konceptuale”, ka thënë Konjufca.