Arbëri

Komuniteti sportiv i zhgënjyer me deputetët që s’votuan për implementimin e Ligjit për sponsorizim

Komuniteti sportiv i Kosovës është zhgënjyer me deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të mërkurën nuk e votuan amendamentin e Ligjit për tatimin e të ardhurave në korporata, i cili mundëson harmonizimin dhe implementimin e Ligjit për sponsorizim.

Të enjten, reagime publike në drejtim të deputetëve të cilët nuk e dhanë votën “pro” amendamentit që hap rrugë për zbatimin e Ligjit për sponsorizim, kanë dalë Komiteti Olimpik i Kosovës, federatat e mëdha, ajo e Futbollit, Basketbollit, Hendbollit, Boksit, trajneri i xhudos, Driton Kuka dhe ministri i Sportit, Kujtim Gashi, raporton KTV.

Për të kaluar amendamenti për fuqizimin e Ligjit për sponsorizim, janë dashur edhe votat e opozitës.

Në një reagim, Komiteti Olimpik i Kosovës ka thënë se është i habitur

se si një amendament i cili e dërgon përpara zhvillimin e sportit në Kosovë, i cili do të krijonte qindra e mijëra vende të reja të punës, do ta ulte shkallën e informalitetit, e do ta ndalte valën e largimit të rinisë nga Kosova, nuk gjeti përkrahjen edhe nga deputetët, të cilët, sipas KOK-ut, jo rrallëherë dinë të krenohen me arritjet e sportistëve.

I ashpër në reagim ka qenë edhe trajneri i kampiones olimpike Majlinda Kelmendit, Driton Kuka.

“Ju që nuk e votuat duhet të flisni publikisht arsyet e juaja, nëse keni arsye të qëndrueshme ne jemi gati të ulemi e ta diskutojmë por... lini kauzat politike kur është në pyetje sporti”, ka shkruar Kuka në Facebook.

Edhe federatat sportive kanë kërkuar që në seancën e radhës, deputetët ta japin votën “pro”, meqë e vlerësojnë se Ligji për sponsorizim është jetik për zhvillimin e sportit.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu , ka kërkuar nga deputetët t’i lënë anash inatet politike kur është në pyetje sporti.

Edhe ministri i Sportit, Kujtim Gashi, pret që në seancën e radhës deputetët të votojnë “pro” ligjit.

“Shpresoj se do të votohet në seancën e radhës. Do të ishte goditje e rëndë për zhvillimin e sportit, kulturës e rinisë nëse ky amendament nuk kalon”, ka thënë Gashi për KTV-në.

Ligji për sponsorizim ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2017, por ende nuk ka gjetur zbatueshmëri. Sipas ligjit, sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit u njihet zbritja 30% nga tatimi në fitim.