Tri komuna të rajonit të Prishtinës (Fushë-Kosovë, Graçanicë e Podujevë) nuk i kanë të funksionalizuara sistemet e-pasuria ose kanë mangësi në menaxhimin e pasurive kapitale e jokapitale.
Këto vërejtje i ka dhënë Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportet për vitin 2020. Në rregulloren Nr. 02/2013 për Menaxhimin e Pasurisë jo Financiare neni 6, pika 3, theksohet se pasuria kapitale duhet të regjistrohet në SIMFK, ndërsa pasuria jo kapitale dhe stoqet duhet të regjistrohen në sistemin e-pasuria. Sipas Auditorit, Komuna e Fushë-Kosovës pasurinë jo kapitale dhe stoqet nuk i kishte menaxhuar përmes sistemit e-pasuria.
“Po ashtu nuk kishte ndonjë regjistër apo evidencë tjetër për evidentimin dhe menaxhimin e pasurisë. Në PFV është bartur vlera e njëjtë nga viti 2019. Kjo ka ndodhur shkaku i mosfunksionalizimit të sistemit e-pasuria nga kompania përgjegjëse për funksionalizimin dhe mirëmbajtjen e sistemit, edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme nga komuna”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Sipas të njëjtit, mosmenaxhimi i pasurive jo kapitale dhe stoqeve përmes sistemit e-pasuria si dhe mungesa e një regjistri të veçantë të këtyre pasurive, vështirësojnë menaxhimin efektiv dhe vë në dyshim saktësinë e informatave.
“Kryetari duhet të sigurojë se janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme dhe të monitorojë nga afër funksionalizimin e sistemit e-pasuria, në mënyrë që të sigurohet se pasuritë jokapitale dhe stoqet regjistrohen dhe menaxhohen në mënyrën e duhur”.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se edhe në Komunën e Graçanicës nuk funksionon sistemi i e-pasurisë.
“Përkundër rekomandimit nga viti i kaluar, sistemi e-pasuria ende është jofunksional. Të dhënat për pasuritë nën 1,000€ mbahen në databazë të brendshme në formatin Excel, i cili nuk kalkulon amortizimin e pasurive dhe si i tillë mbivlerëson vlerën e tyre në PFV. Për ta rregulluar këtë çështje, komuna kishte bërë kërkesë në MAP, mirëpo nuk ishte bërë asgjë në lidhje me këtë. Sipas menaxhmentit, pritet që gjatë vitit 2021 të përcjellin tabelën e migrimit me të dhënat e plotësuara dhe të fillojnë me regjistrimin e pasurive jo kapitale për vitin 2020 në sistemin e-pasuria”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2020.
I njëjti vlerëson se mosvënia në funksion e sistemit e-pasuria dhe raportimi i pasurive nën 1,000€ nga formati Excel i cili nuk kalkulon amortizimin, ndikon në mbivlerësimin e vlerës së pasurive në PFV dhe njëherit pamundëson një menaxhim dhe kontroll efektiv mbi pasuritë e saj.
“Kryetari duhet të marrë veprime të nevojshme për ta aplikuar sistemin e menaxhimit të pasurisë (e-pasuria), në mënyrë që të ketë një menaxhim dhe raportim të pasurisë në përputhje me kërkesat e rregullores për menaxhimin e pasurisë jofinanciare. Kjo çështje duhet të trajtohet edhe nga MAP, në mënyrë që t’i mundësohet komunës që të funksionalizojë sistemin e-pasuria”, thuhet në raport.
Ndërkohë, në Komunën e Podujevës, Auditori ka gjetur se gjatë vitit të kaluar ka pasur mangësi në menaxhimin e pasurisë kapitale dhe jokapitale. Në raportin për vitin 2020 thuhet se vlera e paraqitur në pasqyrta financiare vjetore (PFV) e pasurive kapitale është 92,862,112€, pasurive jokapitale është 1,477,962€, si dhe e stoqeve 103,450€. ZKA-ja gjatë vitit të kaluar ka testuar 70 mostra për teste substanciale në vlerë 8,973,905€, si dhe 8 mostra për teste të pajtueshmërisë.
Sipas nenit 19.4.3 të Rregullores MF– nr. 02/2013 – për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore-Komisioni për Inventarizimin e Pasurive jo Financiare është përgjegjës për krahasimin e gjendjes të inventarizuar me gjendjen në regjistrat e pasurive jofinanciare dhe identifikimin e pasurisë që nuk ka vlerë të bartur. Po ashtu, sipas nenit 4.1 Zyrtari Kryesor Administrativ është përgjegjës për aprovimin e rregullave dhe procedurave të brendshme për evidencën.
“Komuna (e Podujevës v.j.) ka realizuar inventarizimin e pasurisë për vitin 2020, megjithatë raportet e inventarizimit nuk janë harmonizuar/krahasuar me regjistrin e përgjithshëm të pasurisë në SIMFK dhe me regjistrin e-pasuria. Komuna nuk ka aprovuar rregulla dhe procedura të brendshme për ndarjen e drejtë të detyrave për regjistrimin dhe raportimin e pasurive, evidencën dhe ruajtjen e pasurive, ngarkimin e pasurive tek personat përgjegjës që do të kujdeseshin për pasuritë e ngarkuara apo edhe procedurën e inventarizimit dhe krahasimit”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Kjo, sipas saj, ka ndodhur për shkak të mosfunksionimit adekuat të kontrolleve të brendshme të komunës sa i përket fushës së pasurisë.
“Mungesa e rregullave të brendshme dhe moskrahasimi i raporteve të inventarizimit me regjistrat e pasurisë ka vështirësuar menaxhimin efektiv të pasurisë dhe për rrjedhojë vlera e paraqitur në PFV nuk është e saktë, pra nuk është prezantuar gjendja reale e pasurisë me të cilat disponon komuna. Kryetari duhet të sigurojë se bëhet krahasimi i raporteve të inventarizimit me regjistrat e pasurisë si dhe të azhurnohen regjistrat e pasurisë sipas të dhënave të regjistrimeve të fundit”.
Tutje Auditori thekson se kryetari duhet të sigurojë se është duke u respektuar rregullorja për pasuritë financiare dhe jofinanciare.