Arbëri

Komuna e Prishtinës s’hap konkurs, Shkolla e Muzikës me 6 mësimdhënës më pak

Me gjashtë mësimdhënës më pak ka mbetur shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, pasi Komuna tash e një muaj nuk hapi konkurs për rekrutimin e mësimdhënësve të rinj. Prindërit e shkollës që numëron rreth 900 nxënës u shprehën të shqetësuar. Ndërsa në Drejtorinë e Arsimit nuk dhanë sqarime për situatën e krijuar

Shkolla profesionale e muzikës “Prenk Jakova” e cila numëron rreth 900 nxënës ka mbetur me gjashtë mësimdhënës më pak.

Kjo, pasi gjashtë mësimdhënësve për piano e violinë u ka skaduar kontrata në dhjetor, e ende nuk janë zëvendësuar, meqë Komuna e Prishtinës nuk ka hapur konkurs.

Edhe pse kontrata u përfundoi në dhjetor, ata mbajtën procesin mësimor deri në shkurt, por nuk vazhduan më tutje pasi nuk morën paga që nga shtatori i vitit të shkuar.

Mësimdhënësit nuk pranuan të flasin për këtë çështje. E drejtoresha e shkollës, Jeta Dida-Bujari, ka thënë se kjo situatë është duke i penalizuar nxënësit.

“Duke pasur parasysh se të gjithë do të paguhen retroaktiv, pasi kjo ka ndodhur edhe ndonjëherë tek ne dhe të gjithë mësimdhënësit paraprakë kanë pritur për të marrë pagat dhe të gjitha janë analizuar, kështu që është ajo që fëmijët këtu nuk kanë faj, duhet ta kuptojmë edhe ne si mësimdhënës dhe unë si udhëheqëse e shkollës se fëmijët janë më të pafajshmit dhe se ata po penalizohen në këtë situatë”, ka thënë ajo.

Prindërit nuk pranuan të flasin publikisht dhe thanë se janë të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

“Djalin nuk e kam dërguar të enjten në shkollë. Nuk është normale që Komuna të mos i kryejë këto procedura paraprakisht dhe të sigurohet që nxënësit në asnjë moment të mos mbesin pa mësimdhënës”, ka thënë një prind.

E në Këshillin e Prindërve të Prishtinës shprehën kritika ndaj Drejtorisë së Arsimit për mosfillimin e procedurave të zëvendësimit të mësimdhënësve.

“Ne si Këshill i Prindërve të Prishtinës jemi të pakënaqur me procedurat e tejzgjatura të zëvendësimit të mësimdhënësve kur atyre për shembull u skadon kontrata apo edhe kur kanë probleme të tjera shëndetësore, por kur edhe gratë shkojnë në pushime të lindjes”, ka thënë Fisnik Dërguti, kryetar i Këshillit të Prindërve të Prishtinës. “Ne konsiderojmë që procesi i zëvendësimit të tyre duhet të jetë më i shpejtë, në mënyrë që nxënësit mos t’i humbasin orët e planifikuara, kjo pastaj po reflektohet edhe në rezultate të dobëta në lëndët përkatëse”, ka shtuar ai.

Që nga enjtja në Drejtorinë e Arsimit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS duke mos treguar pse nuk është hapur konkursi për rekrutimin e mësimdhënësve të rinj.