Arbëri

Komuna e Prishtinës ndan tri lokacione për ndërtim të çerdheve publike

Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka ndarë tri lokacione për ndërtimin e tri çerdheve të reja publike.

Kolovica e Re, Kolovica e Vjetër dhe Mati 1 janë lagjet që do bëhen me kopshte publike, pasi caktimi i lokacioneve u votua nga asamblistët që ishin prezent gjatë mbledhjes së pestë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, të mërkurën.

Drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati, tha se është duke u punuar në vazhdimësi edhe për gjetjen e lokacioneve tjera në mënyrë që të bëhen kopshte në ato lagje ku ka mungesë të tyre.

Përderisa asamblistë të pozitës kanë përgëzuar drejtoreshën Musmurati, partia më e madhe opozitare Vetëvendosja, insiston se meritë për këtë është qeverisja e nivelit qendror.

Gjatë mbledhjes, por edhe përmes një statusi në Facebook, asamblisti Gëzim Sveçla ka deklaruar se është Ministria e Arsimit që ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës ndarjen e lokacioneve, në mënyrë që vetë ministria, IPA dhe BIK-u të mund të financojnë ndërtimin e këtyre çerdheve.

“Prishtina me tri çerdhe të reja - nga ndryshimi i ndodhur në nivelin qendror po përfiton edhe niveli lokal, gjithandej vendit. Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Ministria e Arsimit, ka kërkuar dy lokacione nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e dy çerdheve. Njëra me financim nga Ministria e Arsimit dhe tjetra me fonde IPA. Po ashtu, BIK-u ka kërkuar një lokacion për financimin e ndërtimit të një çerdheje tjetër. Kuvendi Komunal i Prishtinës, me vota unanime të asamblistëve, votoi për ndarjen e tri lokacioneve për ndërtimin e këtyre Institucioneve Parashkollore. Kolovica e Re, Kolovica e Vjetër dhe Mati 1 janë lagjet përfituese”, ka thënë Sveçla.