Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Prishtinës mbetet pa dokumente të gjendjes civile, kërkon furnizim emergjent

Vehbi Buzuku, të premten, ka mundur të marrë vetëm këtë format të ekstraktit të lindjes, pasi që në Komunën e Prishtinës mungon materiali për dokumentet e gjendjes civile.

Njoftimin për mungesën e letrave adekuate e ka bërë Komuna e Prishtinës, në një postim në Facebook, raporton KTV.

Aty thuhet se, si pasojë e anulimit të tenderit të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka dështuar furnizimi me certifikata në të gjitha komunat.

Në Komunën e Prishtinës, këto shërbime janë ofruar deri në ora 12:00 të datës 28 mars.

Drejtori i Departamentit të Gjendjes Civile, Blerim Camaj, tha se anulimin e tenderit, OSHP-ja e ka bërë me arsyetimin se operatori “ Infosoft Office”, është i papërgjegjshëm.

Ndërsa, Organi Shqyrtues i Prokurimit , përmes një e-mail-i, ka sqaruar se aktiviteti i prokurimit me titull “Furnizim me certifikata të gjendjes civile ”, i iniciuar nga autoriteti kontraktues, Ministria e Punëve të Brendshme, është anuluar nga i njëjti autoritet me datë 10.01.2019, me arsyetimin se për aktivitetin e prokurimit nuk ka oferta të përgjegjshme.