Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka dënuar ashpër sulmin e disa tregtarëve ilegalë ndaj inspektorëve komunalë, që ka ndodhur të shtunën, më 23.06.2018, në rrugën “Vëllezërit Dragaj”.
Bahtiri ka ripërsëritur se askush nuk do të tolerohet të shkelë ligjin dhe të cenojë rendin, ashtu sikur që nuk do të tolerohet askush të atakojë inspektorët komunalë në kryerjen e detyrave të punës.
“Unë ju bëj thirrje të gjithë tregtarëve dhe shitësve ambulantë që të respektojnë kërkesat e inspektorëve të Komunës, të cilët po bëjnë përpjekje maksimale që të ketë rend dhe të respektohet ligji. Komuna është e vendosur që hapësira e destinuar për treg të jetë vendi i vetëm ku tregtarët dhe çdo kush tjetër mund të shesin mallrat e tyre, prandaj inspektorët do të ndërmarrin të gjitha masat ligjore ndaj atyre që nuk i respektojnë urdhrat e tyre, pa u frikësua nga askush. Në mbështetje të inspektorëve do të jetë sikur edhe deri tash, policia e Kosovës, të cilën e falënderojmë për reagimin e tyre të shpejtë në këtë rast”, ka thënë Bahtiri, transmeton Koha.net.
Shefi i sektorit të Inspekcionit të Tregut, Blerim Hyseni, ka bërë të ditur se katër inspektorët ishin sulmuar verbalisht në fillim, kurse më pas njëri prej tyre edhe fizikisht, nga tregtarë të pandërgjegjshëm, në momentin kur inspektorët po kërkonin nga ata që të largohen nga trotuaret dhe rrugët që shpijnë për në tregun e gjelbër.
Sipas tij, vetëm falë gjakftohtësisë së inspektorëve dhe reagimit të qytetarëve, situata nuk ka eskaluar, ndërsa që Policia ka arritur shumë shpejtë dhe e ka shoqëruar për në stacionin policor njërin nga sulmuesit.
Ky është sulmi i dytë ndaj inspektorëve komunalë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, brenda dy muajve të fundit.
-
Sulmohet një inspektor komunal në veri
-
Inspektorët komunalë lirojnë hapësirat publike në Mitrovicë
-
Largohen mallrat e ekspozuara në trotuaret në rrugën “Mbretëresha Teutë” të Mitrovicës
-
Komuna e Mitrovicës suspendon nga puna mësimdhënësin që sulmoi gruan e tij
-
Drejtoria e Inspeksionit në Mitrovicë rrënon një objekt afarist të ndërtuar në pronë publike