Rina Koliqi nga organizata Çohu në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se ekzistojnë disa arsye për shtyrjen e seancave gjyqësore e që çuan në parashkrimin e 58 lëndëve korruptive vetëm në vitin e fundit.
Numri i ulët i rasteve të luftimit të korrupsionit, bartja e lëndëve nga viti në vit dhe parashkrimi i shumë prej tyre janë disa nga gjetjet e raportit “Qasja në drejtësi” të kësaj organizate për sistemin e drejtësisë në vend, ka bërë të ditur Koliqi.
Ajo ka thënë se gjatë monitorimit është vënë re se rastet gjyqësore kanë dështuar për arsye të ndryshme, duke nisur nga vonesat e gjykatësve, shtyrjet e seancave e që më pas që kanë çuar edhe te parashkrimi.
“Parashkrimi është dukuri në të gjitha lëndët, jo vetëm në ato të korrupsionit. Nga viti 2013 e deri më 2018, janë parashkruar pothuajse 20 mijë lëndë. Sa i përket korrupsionit, në vitin e fundit janë parashkruar 58 lëndë”, ka thënë ajo.
Koliqi tutje ka thënë se shtyrjet e seancave janë bërë edhe për arsye të tjera, duke theksuar se ka pasur raste kur janë shtyrë për shkak se gjyqtarëve u janë caktuar dy seanca në të njëjtën kohë. Ka treguar se ka pasur raste edhe kur prokurorja ka thënë se është e papërgatitur për rastin duke detyruar shtyrjen e seancës. Sipas saj, ka pasur raste kur gjyqtarët kanë shkuar në seminare të ndryshme para seancave gjyqësore.
Koliqi tutje ka thënë se kanë rekomanduar të merren masa disiplinore ndaj gjyqtarëve e prokurorëve që kanë bërë shkelje. Ka thënë se ka mungesë të madhe të asistentëve, duke specifikuar përkthyesit, në veçanti për rajonin e Mitrovicës.
-
Çohu: Në Kosovë ka shkallë të ulët të ndëshkimit të korrupsionit
-
GLPS: Gjyqësori zvarrit rastet e profilit të lartë, dënimet s’e pasqyrojnë seriozitetin e veprave
-
GLPS: Gjyqësori ka mungesë efikasiteti në luftën kundër korrupsionit, sidomos të profilit të lartë
-
EULEX: Rastet e profilit të lartë rrezikojnë të parashkruhen, gjykatat joproduktive
-
Raporti i EULEX-it për drejtësinë, theksohet parashkrimi i rasteve të profilit të lartë