LAJMET E MBRËMJES

EULEX: Rastet e profilit të lartë rrezikojnë të parashkruhen, gjykatat joproduktive

Shefi i Njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve në Kosovë ka deklaruar se trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk ka shënuar ndonjë rezultat, duke theksuar se disa prej tyre rrezikojnë të parashkruhen. Gjatë prezantimit të raportit të EULEX-it për drejtësinë është theksuar edhe mungesa e produktivitetit në seanca, si dhe përdorimi i shpeshtë i masës së paraburgimit

Trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk ka shënuar progres, pasi disa prej rasteve rrezikojnë parashkrimin e disa të tjera kanë përfunduar me lirimin e të pandehurve nga akuzat, është theksuar në raportin e EULEX-it për monitorimin e drejtësisë, i publikuar të hënën.

Gjatë prezantimit të raportit, shefi i njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve, Hubert Van Eck Koster, ka thënë se bazuar në monitorimin e punës së gjykatave është konstatuar se 28 për qind e seancave janë joproduktive.

“Në periudhën shtator 2022 maj 2024, 230 seanca nga 821 seanca të monitoruara kanë qenë joproduktive që i bie 28 % të seancave janë joproduktive... Kemi vërejtur një përdorim të tepruar të masës së paraburgimit, në mënyrë sistematike pa një arsyetim të duhur dhe shpesh vazhdohet në mënyrë automatike. Përveç stërpërdorimit të paraburgimit në periudhën aktuale në krahasim me vitin 2022, numri i personave të paraburgosur për më shumë se dy vjet është rritur nga 37 në 61. Kemi mësuar se 10 persona mbahen të paraburgosur për më shumë se 6 vjet”, ka thënë Hubert Van Eck Koster.

Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka thënë se gjetjet e raportit bazohen në monitorimin rigoroz të mbi 300 rasteve. 

Ai ka nënvizuar se rruga drejt Bashkimit Evropian kërkon përkushtim më të madh nga udhëheqësit e institucioneve të sundimit të ligjit.

“Rruga drejt përafrimit të Bashkimin Evropian kërkon një përkushtim të palëkundur nga udhëheqësit të institucioneve të sundimit të ligjit në të gjitha nivelet dhe mbështetjen nga të gjitha komunitetet. EULEX-i vazhdon të jetë partner i përkushtuar i Kosovës, zotimi ynë për të mbështetur sektorin e drejtësisë së Kosovës është i palëkundur, por përgjegjësia për transformimin e vërtetë përfundimisht i takon lidershipit kosovar. Vullneti politik, pavarësia gjyqësore dhe angazhimi aktiv për qytetarët janë forcat shtytëse për të zvogëluar këtë hendek ndërmjet legjislacionit dhe zbatimit”, ka deklaruar Barbano.

Komente për raportin e EULEX-it kanë dhënë edhe udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdari, është zotuar se do të trajtohen mangësitë e identifikuara. 

“Secili prokuror do të mbahet përgjegjës për vonesat e paarsyeshme të hetimit penal dhe mungesës së paarsyeshme në rastet e profilit të lartë. Do të mbahen takime me kryeprokurorët për të adresuar mangësitë në akuzat e profilit të lartë që kanë rezultuar me lirim nga akuza, jemi të gatshëm të diskutojmë publikisht me KGJK dhje gjyqësorin për aktakuzat e arsyetuara që lidhen me rastet e korrupsionit apo profilit të lartë. Do të inkurajojnë prokurorët të zbatojnë masa më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë derisa masën e paraburgimit ta vlerësojnë të fundit”, ka thënë Hajdari.

E kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, është ankuar për buxhetin e ndarë për institucionet e drejtësisë duke thënë se efikasiteti, efektiviteti dhe performanca e përgjithshme janë të ndërlidhura me buxhetin që, sipas tij, është i ulët. 

Sipas raportit të EULEX-it, është shënuar progres në rastet e krimeve të luftës e edhe në luftimin e dhunës në baza gjinore.