Kushtrim Koliqi nga “Integra” ka thënë se festivali “Mirëdita Dobar dan” ka për synim të përçojë në Serbi narrativën që serbët s’janë mësuar të shohin për shqiptarët.
Ai ka thënë se përmes festivalit kulturor “serbët mund të mësojnë për rastin e Ferdonijes, të pagjeturve, në të cilat ka edhe serbë, por edhe serbët duhet të dëgjojnë për ta”.
Në Rubikon të KTV-së, në emër të festivalit “Mirëdita Dobar dan” se sa njihen shqiptarët e serbët jashtë politikës, Koliqi ka treguar një rast që sipas tij tregon kontrollin e madh që ka politika atje.
“Neve na përcjell policia non-stop atje, s’është ndjenjë e mirë, por për shkak të sigurisë na përcjellin. Ne që dalim më shpesh, japim edhe intervista, kemi mbrojtje të afërt. Një nga ta me të cilët jemi shoqëruar më ka thënë ‘Kushtrim mos u frikëso, sepse protestuesit i paguan Vuçiqi për të dalë kundër teje, e mua Vuçiqi që të të ruaj’. Ishte pjesë e forcave të policisë. Është rasti më eklatant qysh politika kontrollon të gjitha elementet e shoqërisë, përfshirë protestuesit ekstremë”, ka thënë ai.
Koliqi ka thënë se festivali “Mirëdita Dobar dan” s’është sikur bashkëpunimet tjera mes shqiptarëve e serbëve.
“Sepse ne s’kemi barriera për të diskutuar për tema sensitive, për temat të cilat donatorët tipikë s’kanë të drejtë t’i prekin, të kaluarën, krimet. Ky festival stimulon një lloj të tillë të bashkëpunimit, të diskutimit për t’u marrë me temat që s’janë të këndshme për marrëdhëniet sipërfaqësore Kosovë-Serbi. Për këtë jam i lumtur që është përkrahur ideja. Bëra paralele sepse festivali ka edhe nervin protestues të aktorit Bekim Fehmiut. Ne jemi të lumtur për këtë. Ne në temat që trajtojmë, librat që promovojmë, shfaqjet, s’kemi barriera. Duke pas barriera, besoj që krejt kjo fushata e ‘pajtimit’ rezulton e dështuar”, ka deklaruar ai.