Kulturë

“Mirëdita, Dobar dan!” tash në Prishtinë, ikje nga toksikja politike

Në edicionin e tij të tetë, festivali “Mirëdita, Dobar dan!” nga Beogradi është zhvendosur në Prishtinë, me misionin e njëjtë që qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë të rinjihen. Për tri ditë do të mundohet të promovojë paqe nëpërmjet diskutimeve e artit. Përderisa në hapje të enjten mbrëma, edicioni i Prishtinës është në kontrast me atë në Beograd – nën jehonën e thirrjeve nacionaliste kundër shqiptarëve – për organizatorët, “Mirëdita...” e sivjetme është duke u organizuar në rrethana të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, por edhe ambientit tejet toksik politik

Ka tetë vjet që mbahet në Serbi. Për herë të parë një edicion i plotë mbahet në Prishtinë – ani pse “Mirëdita, Dobar Dan!” me aktivitete të ndryshme u prezantua shpeshherë edhe në vend. Me t’u afruar te “Kino Armata” ku mbahen shumica e aktiviteteve gjatë këtyre tri ditëve, situata ndryshon prej asaj në Serbi. Numri i policëve me uniformë është shumëfish më i vogël, protesta grupesh ultranacionaliste serbe me thirrje për zhdukje shqiptarësh nuk mbahen e të tilla as nuk janë paralajmëruar. Vëmendje të plotë marrin kultura e aktivitetet që janë paralajmëruar.

Veç tri gjëra lakojnë paralelen që krahason edicionin e sivjetmë në Prishtinë me të kaluarit në Beograd: artistët që mblidhen nga të dyja shtetet për këtë ngjarje, publiku që u gëzohet organizimeve të tilla ku kultura është kryefjala dhe mediat serbe e vendore që rendin pas organizatorëve si asnjëherë më parë për ngjarje të tjera kulturore.

Gjatë ditëve të programit “Mirëdita, Dobar dan!”, audiencës së Prishtinës do t’i prezantohen artistë dhe krijues që përfaqësojnë skenën kulturore dhe shoqërore moderne të Serbisë. Kësaj radhe si një përmbysje e rendit të mëhershëm, janë qytetarët e Kosovës ata që do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Serbisë përmes një sërë prodhimesh artistike; filma, koncerte, ekspozita dhe promovimi i “Serbisë tjetër”, një libër nga Shkëlzen Gashi. Një pjesë e programit si çdo herë do t'u kushtohet diskutimeve dhe debateve që trajtojnë tema të rëndësishme për shoqëritë e të dyja vendeve. Por, nisja e rrugëtimit në Prishtinë, të enjten nuk ishte me një ngjarje tipike kulturore.

Në skenë sa për të ndezur atmosferën e marrë vëmendjen e të pranishmëve, që kishin humbur në biseda me njëri-tjetrin, ishte perfomanca mikpritëse me Drag Queens nga Beogradi - Loakiin dhe Sunnoka, të shoqëruar nga DJ Jovijah. Pjesa tjetër e skenarit, ishte kritikuese ndaj situatës së krijuar në mes të dyja vendeve dhe tentim për të sfiduar narrativen e njëanshme e paragjykuese që ekzistojnë në Kosovë e Serbi. Kështu së paku e sheh, Kushtrim Koliqi, drejtues i organizatës “Integra”, që mori fjalën i pari për të shtjelluar më shumë misionin e edicionit të sivjetmë që sipas tij është duke u organizuar në rrethana të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, por edhe ambientit tejet toksik politik në anën tjetër.

Madje e mërkura, një ditë para nisjes së Festivalit nuk ishte aspak e qetë. Tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe u rikthyen pikërisht dhjetë ditë pas ngjarjeve në Jarinjë e Bërnjak. Aksioni i gjerë i Policisë dhe Doganës së Kosovës kundër mallrave kontrabandë në disa pjesë të vendit, e i cili përfshiu edhe Komunën Veriore të Mitrovicës, mobilizoi disa nga serbët mëngjesin e hershëm të së mërkurës. Eksplozivë, mjete të tjera shpërthyese dhe gurë u përdorën nga serbët për të kundërshtuar aksionin, derisa ata bllokuan edhe rrugët me makineri të rënda.

“Si çdo edicion, edhe këtë vit festivali ‘Mirëdita, Dobar dan!’ do të vazhdojë të promovojë vlera të përbashkëta dhe respektin e ndërsjellët mes dy popujve përkundër diskursit nacional, paragjykues e negativ që vazhdon të mbizotërojë në dy vendet. Ajo çka është shumë e rëndësishme për festivalin tonë, është t’iu ofrojmë qytetarëve të dy vendeve një mundësi që të shohin një realitet ndryshe, një realitet ku e kaluara kujtohet dhe kuptohet drejt. Një mundësi që qytetarët e të dyja vendeve, por edhe artistët, aktivistët, hulumtuesit e akademikët të njihen me njëri-tjetrin, të dëgjojnë e kuptojnë njëri-tjetrin”, ka thënë ai. Ka shtuar se frymëzim çdo herë, që nga themelimi mbetet aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar e jugosllav, Bekim Fehmiu.

“Ju ftoj që të ndiqni eventet e festivalit që do të organizohet gjatë këtyre ditëve, programit artistik edhe atë të debateve dhe do të keni mundësi të shikoni e kuptoni më shumë, e në këtë mënyrë ta sfidojmë së bashku edhe atë që e dimë si për ‘të vërtetë absolute’”, ka thënë ai.

LEXO EDHE:

“Mirëdita…” në Beograd përballë thirrjeve për zhdukjen e shqiptarëve

Ivan Gjuriq, drejtor programor i Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, që është njëri nga organizatorët e festivalit, ka thënë se edhe përkundër rrethanave të pandemisë dhe rrethanave toksike politike, tani është momenti i duhur kur duhet të organizohet festivali.

“Krizat ndodhin pasi që nuk bisedojmë, nuk kuptohemi dhe nuk i zgjedhim ato. Ndërsa ky festival ekziston për këtë, për t’u ballafaquar me këto lloj problemesh për të biseduar, kuptuar dhe për t’i zgjidhur ato. Ne nuk ëndërrojmë që do të vijë një e ardhme në momentin kur shqiptarët dhe serbët do të pajtohen për të gjitha, mirëpo ëndërrojmë për një moment kur shqiptarët dhe serbët do të komunikonin me njëri-tjetrin dhe do të gjenin një zgjedhje ato çështje përmes bisedave”, ka thënë ai. Ka shtuar se nuk duhet biseduar siç po bisedojmë liderët politikë, Vuçiqi e Kurti.

“Duke nënçmuar njëri-tjetrin a ngjashëm, por duke u munduar për të gjetur një rrugë të përbashkët e zgjidhje të përbashkëta. Nuk duam që çështjet në mes të Kosovës e Serbisë të zgjidhen në Bruksel, por duam që të zgjidhen edhe në Beograd, edhe në Prishtinë, në Mitrovicë, në Pejë, Preshevë apo kudo”, ka thënë ai. Sipas tij, qëllimi i Festivalit është të ndërtohet paqja, të luftohet dhe çrrënjoset ai nacionalizmi që i ndan dy shtetet dhe kjo sipas Gjuriqit duhet bërë këtu.

“Festivali ‘Mirëdita, Dobar dan!’ është një hapësirë ku mund të njoftohet një Serbi tjetër, e cila dëshiron që të diskutohen çështjet ndoshta më të vështira për t’u diskutuar për shoqërinë serbe. Njerëzit të cilët i trajtojnë këto tema, e që janë artistë, intelektualë, akademikë, në forma të ndryshme e të cilët do të keni rastin që t’i njihni gjatë Festivalit që prek tema të ndryshme duke përfshirë dhunën seksuale, tema që e ngarkojnë shoqërinë e që njerëzit i sfidojnë”, ka thënë ai. Ka shtuar se për Serbinë është mirë që të prezantojë disa njerëz të tjerë, pasi që imazhi i vetëm që Serbia ka është ai i forcave civile në aksion dhe kjo duhet të ndryshohet.

Megjithatë, performanca me të cilën nisi edicioni i sivjetmë, nuk ishte se reflektonte a nxiste mendim a vrojtim të atyre që përmendën në fjalim organizatorët. Një reflektim, e bashkëndjenjë, mund të ketë nxitur dokumentarin “Më shëro” i regjisores Danijela Štajnfeld që u shfaq më pas.

Gratë dhe burrat në të dyja shtetet përballën me tabu kur vjen fjala te dhunimi seksual. Ndihen të pambrojtur e të neglizhuar nga shoqëria. Të dyja vendet duhet bërë më shumë për të vënë prapa grilave ata që bëjnë një krim të tillë. Ani pse filmi nuk flet për dhunimet seksuale gjatë konflikteve a luftërave, padyshim që kosovarëve të pranishëm mendja u shkon te të dhunuarat e të dhunuarit nga forcat paramilitare serbe në luftën e fundit në vend.

Štajnfeld, te dokumentari “Më shëro” trajton temën e dhunës seksuale përmes rrëfimeve personale dhe dëshmive të të mbijetuarve të përdhunimit, por edhe të kryesve të dhunës seksuale. Filmi, sipas përshkrimit, gërsheton portrete individuale dhe sekuenca të vërteta që përshkruajnë traumat e viktimave, duke e çuar publikun nëpër përjetimet e atyre që i mbijetuan dhunës seksuale, derisa bën pyetje nëse është i mundur shërimi.

“A është mami aty? Desha t’ju tregoj, që i kam thënë Sonjës vitin e kaluar, që kam mbijetuar përdhunim para katër vjetësh e gjysmë, në Serbi. Pastaj jam larguar në Amerikë dhe ka qenë shumë e vështirë për mua, por tani jam mirë...Nuk kam dashur t’ju tregoj pasi nuk kam dashur të brengoseni. Tani po u tregoj pasi jam duke bërë një film me viktimat e tjera të përdhunimit në Amerikë”, thotë vetë Štajnfeld në nisje të dokumentarit. Është një nga personazhet e tij.

Shpalosi rrëfimin e saj sesi la Serbinë, në kulmin e karrierës së saj, pas suksesit që nisi me filmin “Ivko’s Feast” të vitit 2005, e iku në SHBA. Vetë regjisorja nuk ishte e pranishme në premierën kosovare të dokumentarit pasi që vazhdon të jetojë në SHBA.

Štajnfeld, përmes këtij filmi shpalos shumë rrugë e mënyra të ndryshme që viktimat marrin në përpjekjet e tyre për të arritur shërimin dhe drejtësinë. Këto dy të fundit, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë akoma i kërkojnë.

Duke bërë bashkë artistë, aktivistë të të drejtave të njeriut e të paqes, si dhe opinionbërës nga Kosova dhe Serbia, festivali “Mirëdita, Dobar dan!”, pasuron perspektivat regjionale dhe nxit bashkëpunimin dhe ndërtimin e paqes. Organizohet nga “Integra”, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali “DAM” dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Rockefeller Brothers Fund. Edicioni i shtatë qe mbajtur vitin e kaluar në Beograd, dhe protestat e thirrjet e grupeve gati të njëjta nacionaliste në Serbi, kishin qenë “repriza” e atij edicioni.