Ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka njoftuar se ka takuar ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Barack Obama.
Ajo ka theksuar se gjatë takimi i ka kërkuar Obamas që të vazhdojë angazhimin e mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, të cilat sipas Jahjagës, janë sfiduar me pezullimin e dialogut strategjik së fundmi.
Ajo ka njoftuar se takimi është zhvilluar në margjinat e samitit samitit global në Erie, Pensilvani, ku ajo ka thënë se ka marrë pjesë pas ftesës së The Jefferson Educational Society dhe ka folur për adresimin e pasojave të luftës gjatë mandatit si presidente e Kosovës.
“Në margjinat e samitit, pata nderin të takoj Presidentin Barack Obama, të cilin e falënderova për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Kosovës gjatë mandatit tim, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj vendit tonë. Kërkova nga Presidenti Obama angazhimin e mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA dhe Kosovës, të cilat janë sfiduar me pezullimin e dialogut strategjik së fundmi. Kërkova edhe ndihmën dhe përkrahjen e zotit Obama në konsolidimin e shtetësisë tonë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.
Ajo ka thënë se Kosova nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan. “Falë këtij partneriteti, ne sot gëzojmë lirinë, pavarësinë, njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në shumë organizata botërore. Për këtë mbetemi përjetësisht falënderues”, ka shkruar Jahjaga.