Arbëri

Koci: Janë shtuar gjasat që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje

Melazim Koci

Politologu Melazim Koci, ka thënë se janë shtuar gjasat që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme. Koci në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se diku deri më 20 shkurt nuk mund të certifikohen rezultatet dhe mbetet kohë e shkurtë deri më 4 mars kur duhet të zgjidhet presidenti apo presidentja e Kosovës.

“KQZ-ja nuk mund të bëjë certifikimin e rezultateve pa kaluar afatet që janë të parapara për ankesa në PZAP dhe në Gjykatën Supreme. Besoj se do të shkojë deri më 20 shkurt të certifikohen rezultatet por pastaj mbetet afat shumë i shkurtë mes 4 marsit kur Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme nëse nuk ka zgjedhje të presidentit a presidentes. Mesa shoh ditëve të fundit gjasat janë shtuar që një gjë e tillë të ndodhë. Gjasat janë shtuar edhe për shkaqe të tjera; për atë që po ndodhë me LDK-në, për përplasjet rreth emrit të Vjosa Osmanit”, ka thënë Koci.

Tutje sipas Kocit nuk është parë as mbështetje publike e Lëvizjes Vetëvendosje për emrin e Vjosa Osmanit si presidente për një mandat të dytë. Politologu Koci ka thënë tutje se aktualisht LDK-ja nuk është në pozitën që të flitet me të për këtë çështje.

Sa i përket kësaj partie dhe mbledhjes së kuvendit që do e mbajë të shtunën, Koci ka thënë se ka drojë që pas kësaj date LDK-ja mund të ndahet në dysh.

“Në deklarimin e Avdullah Hotit kur e paraqiti kandidaturën për kryetar, e paraqiste Abdixhikun të dorëhequr. Është evidente që ka përçarje brenda LDK-së dhe druaj që ata mund të ndahen në dysh pas të shtunës sepse nuk shoh mundësi të ndonjë kompromisi dhe nuk shoh mundësi ta tejkalojnë këtë situatë pa një garë të re zgjedhore e cila do të fillonte nga degët më të largëta sepse rënia që e ka përjetuar LDK-ja është e thellë. Hera e dytë që LDK-ja bie në 13 për qind”, ka thënë Koci.

Sa i përket zhvillimeve të fundit në lidhje me manipulimin me votat, ish-kryeredaktori i Radios Evropa e Lirë, Melazim Koci, ka thënë se një nga mundësitë për të parandaluar një gjë të tillë është digjitalizimi, kostoja e së cilit nuk do të duhej të shikohet.

Koci ka thënë po ashtu se edhe mundësia për të votuar deri në dhjetë kandidatë për deputetë e ka mundësuar keqpërdorimin të cilin po e shohim me votat e kandidatëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Ligji i fundit zgjedhor i miratuar e ka shtuar mundësinë e manipulimeve në vend se ta ngushtonte. Pres ndërhyrje të fuqishme nga prokuroria dhe gjykatat, pres edhe reformë të thellë të sistemit zgjedhor. Duhet edhe digjitalizim komplet pavarësisht sa mund të kushtojë sepse mund të kushtojë por më e rëndësishme se paratë janë proceset demokratike në Kosovë”, ka thënë Koci.

Manipulimi me votat sipas Kocit është bërë edhe me degët e partive sepse sipas tij nuk do të mund të bëhej vetëm nga individët. Koci theksoi se hetimet do të duhej të shkonin edhe tek to.

“Kjo çfarë ka ndodhur nuk ka mundur të ndodhë pa dijen minimum të degëve në komuna. Nuk kanë mundur individët ta kenë bërë këtë pa ndihmën e sofistikuar të degës së partisë për të mos thënë edhe qendrës në Prishtinë. Besoj se hetimet do të shkojnë edhe në atë drejtim. Partitë politike ta kuptojnë që edhe ata duhet të ndërmarrin masa, nuk është në favorin e tyre kjo që është duke ndodhur sepse i vjedhur është votuesi i tyre i cili ka votuar për dikë tjetër e vota i ka shkuar dikujt tjetër”, ka deklaruar Koci në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Gjatë ditës së sotme, Prokuroria Themelore ka autorizuar mbledhjen e informatave dhe evidentimit të shkeljeve të mundshme në procesin e numërimit të votave edhe në Komunën e Drenasit.

Ndërkohë një ditë më parë, 22 komisionerëve e një vëzhguesi në Prizren, iu caktua nga një muaj paraburgim pas dyshimit për vjedhje dhe manipulim të votave. E 86 të tjerët u liruan në procedurë të rregullt.