Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KMDLNj përkrah vendimin e Gjykatës së Apelit për hetuesit e IPK-së

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përmes një njoftimi dërguar mediave ka përkrahur vendimin e Gjykatës së Apelit për hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Ditë më parë, Apeli vendosi pro ankesave të nëntë kandidatëve nga 15 që ishin pranuar në IPK, por që punësimi i tyre ishte anuluar me kërkesë të ish-ministrit Flamur Sefaj. Kjo gjykatë konstatoi se anulimi i konkursit ishte bërë në mënyrë arbitrare. Për shkak të dyshimeve për kurdisje të konkursit, Hilmi Mehmeti ka humbur postin e kryeshefit, ndërsa në vend të tij është pozicionuar Miradije Kelmendi.

“Pas ndërhyrjes flagrante, të kundërligjshme e që përmban elemente të veprës penale të ish ministrit të MPB, z.Flamur Sefaj ndaj një institucioni të pavarur siç është Inspektorati Policor i Kosovës, duke e anuluar arbitrarisht konkursin për hetues të IPK dhe në këtë mënyrë ua mohuan të drejtat ligjore dhe njerëzore të kandidatëve që në një proces të rregullt monitorimi (të monitoruar nga KMDLNj), e fituan të drejtën e punës. Pikërisht në ditën kur kandidatët ishin ftuar t’i nënshkruajnë kontratat, ish-ministri Sefaj e anuloi konkursin duke i bërë presion ish-kryeshefit të IPK-së Hilmi Mehmeti dhe duke e vënë në situatë të palakmueshme ndaj vartësve të tij. Më vonë, ish-kryeshefit të IPK-së i montuan një proces pas së cilës e shkarkuan pa i dëshmuar fare shkelje ligjore apo përgjegjësi penale. KMDLNj, menjëherë pas anulimit të konkursit e pati bërë një reagim publik i cili e dënonte vendimin e kundërligjshëm dhe arbitrar të ish ministrit Sefaj i cili pastaj u ‘dorëhoq’, pa dyshim nën presion dhe urdhra politike për shkak të kidnapimit dhe deportimit, përkundër të gjitha konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe ligjeve të vendit, gjashtë (6) shtetas turq, me leje të rregullt pune dhe qëndrimi në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së. “Edhe gjatë takimit me ish ministrin e MPB-së, z.Flamur Sefaj, KMDLNj i bëri me dije se ndërhyrja e tij ndaj institucionit të pavarur IPK-së është e kundërligjshme, e dënueshme dhe për pasojë, si akt moral, ministri do të duhej të dorëhiqej, apo nëse refuzon ta bëjë këtë, atëherë do të duhej të shkarkohej. Ish ministri Sefaj kishte bërë akuza ndaj KMDLNj-së dhe Avokatit të Popullit që e gjykonin këtë vendim arbitrar dhe dërgonte porosi kërcënuese. Përveç kësaj, dhe pas kësaj, në ankesat e hetueseve të IPK-së e që ishin pranuar në një konkurs të rregullt, KMDLNj i këshillonte të kërkonin të drejtat e mohuara padrejtësisht nga ministri Sefaj, në institucionet gjyqësore duke iu dhënë përkrahje publike dhe duke mos dyshuar se ata do t’i realizojnë të drejtat e tyre”.

KMDLNj vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit është vendim i drejtë dhe dëshmi se hetuesit e IPK-së ishin pranuar në mënyrë të rregullt, pas një procesi të rregullt rekrutimi. Sipas KMDLNj-së, ky vendim është një satisfakcion për punën e KMDLNj-së dhe Avokatit të Popullit si dhe një porosi e qartë se çdo ndërhyrje arbitrare për qëllime politike apo të tjera do ta marrë përgjigjen e duhur dhe të merituar nga gjyqësori.