Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj situatës së krijuar që nga dita e djeshme në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës.
“Në disa fshatra të komunës së Kamenicës, kohë më parë ka filluar një reformë në fushën e arsimit që ka nënkuptuar se disa shkolla do të mbyllen dhe se nxënësit do të zhvendosen në shkollat e fshatrave që nuk janë larg nga vendbanimi e që shpenzimet për transport deri te shkolla e re do të mbuloheshin nga buxheti i komunës së Kamenicës. Që në fillim, një numër i prindërve por edhe i personelit arsimorë ka kundërshtuar këtë zhvendosje, fillimisht vetëm verbalisht e më vonë edhe me organizimin e protestave. KMDLNj, që nga fillimi ka përkrahur reformat e nisura në komunën e Kamenicës duke konsideruar se kjo është përgjegjësi ekskluzive e komunës përkatësisht Drejtorisë Komunale për Arsim dhe kryetarit të komunës dhe ka kundërshtuar çdo ndërhyrje nga jashtë të cilët nuk kishin asnjë interes në komunën e Kamenicës përveç ndërhyrjeve për interes politik” është thënë në reagimin e KMDLNJ-së.
Më tutje në këtë reagim thuhet se ‘në kohën kur në komunat me shumicë serbe, komuna e organizon sistemin arsimor nga niveli parashkollorë e deri te ai universitar dhe ku mësohet me plan programet e Serbisë , në komunën e Kamenicës kjo e drejtë iu mohohet DKA–së dhe kryetarit të komunës, Qëndron Kastratit, ndonëse me asgjë nuk e kanë shkelur ligjin dhe nuk ka punuar kundër interesave të vendit, të komunës dhe të vet nxënësve . E drejta për një arsim cilësorë është e drejtë e njeriut dhe të gjithë ata që janë kundër janë shkelës të të drejtave të njeriut. Mësimdhënia dhe mësim nxënia në një mjedis jo të përshtatshëm social , në kushte jo të mira fizike, klasë me 2-3 nxënës, klasë ku mbajnë mësim nxënës të moshave të ndryshme, situatë kur një mësues apo arsimtar jep shumë lëndë mësimore nuk siguron cilësi për një arsim por, madje është shumë dekurajuese për një nxënës dhe një mësimdhënës dhe ua mohon mundësinë për një të ardhme më të mirë sikur që i lë në pozitë të pabarabartë këta nxënës gjatë konkurrimit për nivel më të lartë të arsimit” thuhet mes tjerash në reagimin e KMDLNJ-së.
Kjo organizatë i ka dhënë mbështetje reformave të filluara në arsimit nga DKA e Kamenices dhe kryetari Qëndron Kastrati të cilat sipas KDMLNJ kanë për qëllim të krijojnë kushte më të mira për nxënësit dhe arsimtarët sikur që e racionalizon buxhetin e komunës për arsim.