Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KMDLNJ-ja u kërkon Qeverisë dhe SBASHK-ut që të gjejnë zgjidhje për grevën

Rrahman Jasharaj, SBASHK

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka bërë thirrje që Qeveria e Kosovës dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të diskutojnë për të gjetur në zgjidhje sa i përket grevës në arsim.

Siç ka njoftuar KMDLNJ-ja, të hënën, që nga fillimi i grevës më 25 gusht, 320 mijë nxënësve të të gjitha nivele u mohohet e drejta elementare e njeriut – ajo për shkollim.

"KMDLNj thërret palët që urgjentisht të gjejnë një zgjidhje dhe nxënësit të fillojnë mësimin. Ndryshe, të dyja palët do të marrin përgjegjësi për shkelje të rënda dhe serioze të të drejtave të njeriut për një arsim cilësor dhe të domosdoshëm", thuhet në reagimin e këtij këshilli.

Sipas KMDLNJ-së, greva mbetet zgjidhje vetëm atëherë kur shpenzohen të gjitha mundësitë për arritje të një marrëveshjeje, ndërsa shton se këto mundësi nuk janë shfrytëzuar ende.

Më tej në reagim thuhet se Qeveria është dashur të përpiqet vazhdimisht që ta evitojë grevën, ndërsa e ka akuzuar atë për shpërfillje të kërkesave të SBASHK-ut.

“Refuzimi i vendosur i kryeministrit Kurti ta takojë kryetarin e SBASHK, Rrahman Jasharaj e vështirëson shumë zgjidhjen e ngërçit të krijuar, aq më parë që ministrat dhe vartësit e kryeministrit nuk dalin jashtë qëndrimeve të kryeministrit madje, për më keq me një fjalor fyes dhe kërcënues e fusin çështjen në rrugë njëkahëshe, pa zgjidhje”, thuhet në njoftim.