Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka bërë të ditur se ka kërkuar nga anëtarësia greviste të japë mendimin për idenë që të pezullohet greva në arsim, më së largu deri në janar 2023, e që grevistët t’i kthehen procesit mësimor që nga 3 tetori.
Në një komunikatë për media, SBASHK-u e ka quajtur Qeverinë Kurti “inatçore”. Sipas SBASHK-ut, Qeveria nuk e ka prioritet zhvillimin e arsimit. Në njoftimin e SBASHK-ut bëhet e ditur se kërkimi i mendimit të anëtarësisë për pezullim të grevës vjen për shkak të mungesës së dialogut social. SBASHK-u ka thënë se dyshon që “greva po i duhet Qeverisë për të mbajtur vëmendjen e opinionit drejt grevës”.
“Duke parë se pas gjithë përpjekjeve tona që të kemi dialog të mirëfilltë e të gjejmë zgjidhje të kërkesave legjitime, Qeveria vazhdon qasjen e gabuar dhe pas angazhimit edhe të njerëzve me autoritet dhe ardhjes së drejtoreshës së përgjithshme të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE) që ishte zë i grevistëve dhe solli kërkesa në emër të 11 milionë kolegëve nga e tërë Evropa që të realizohen kërkesat legjitime të grevistëve, por Kurti dhe qeveria vazhdoi të dëshmoi se nuk do të zgjidhë kërkesat e grevistëve. Duke u nisur nga kjo këshilli grevist i SBASHK-ut bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t'i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022”, thuhet në komunikatë.
SBASHK-u ka thënë se nuk tërhiqet nga kërkesat për shtesë në pagë deri në zbatimin e Ligjit për paga, ndryshimin e ligjit për skema pensionale e atij për sigurime shëndetësore.
Kryetari i Këshillit Grevist të SBASHK-ut, Reshit Kushaj ka thënë për KOHËN se kanë pasur konsulta të brendshme me anëtarët se çfarë veprime duhet të ndërmerren në ditët në vijim. Ai ka thënë se mund të diskutohet për pezullim të grevës, por jo për ndërprerje.
“Ne kemi takime të përditshme me anëtarët të komunave dhe ata po ashtu mbajnë takime në nivel shkolle. Deri në orët e vona të mbrëmjes kemi takuar dhe jemi konsultuar me ta se cilat veprime sindikale duhet t'i ndërmarrim më tutje apo çfarë do të vendosim këto ditë këto javë. Dhe kjo ka mbetur që të formulojmë një udhëzim, një shkresë për ta për të marrë përgjigje prej tyre për veprimet e mëtutjeshme sindikale por assesi ndërprerje të grevës, ne mund të bisedojmë me ta për pezullim të përkohshëm të grevës, por jo ndërprerje pasi nuk janë realizuar kërkesat tona”, ka thënë ai.