Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) kërkon nga Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) që të mos kërcënojë me protesta.
KMDLNj-ja vlerëson se kërcënimi me protesta të mësimdhënësve dhe bojkotim të procesit mësimor është shantazh. Po ashtu ka ftuar atë që t’i kthehet dialogut me qeverinë në mënyrë që të arrijë një marrëveshje të zbatueshme dhe të mos kërkojë një zgjidhje të pazbatueshme.
“Është bërë si rregull e mbase edhe pjesë e statutit dhe Rregullores se SBASHK-ut që para çdo viti të ri shkollor të kërcënojë institucionet e Kosovës me protesta, nëse nuk iu përmbushen kërkesat të cilat sa shkojnë e rriten. SBASHK-u, në emër të organizimit dhe veprimit sindikalist jo rrallë ndërmerr veprime që , as nuk e përmirësojnë gjendjen e punëtorëve të arsimit, të drejtat e të cilëve i përfaqëson dhe mbron sipas mandatit e , në anën tjetër i shkel rëndë të drejtat e fëmijëve pasi e pengon procesin arsimor, edhe ashtu thuaja të mbaruar. E drejta e veprimit sindikalist është e rregulluar me ligj, është e drejtë e pakundërshtueshme e të drejtave të njeriut, për aq sa kohë sa nuk i cenon të drejtat e të tjerëve. KMDLNj mbron të drejtat e SBASHK-ut që edhe të organizojë protesta, por jo duke e shndërruar në mjet shantazhi dhe kërcënimi të vazhdueshëm , siç po vepron edhe tani”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj-ja ka ftuar SBASHK-un që të ulë “armët e luftës” – kërcënimin dhe shantazhin dhe t’i kthehet dialogut me qeverinë.
“SBASHK-u mjaftueshëm e ka dëmtuar deri më tani procesin mësimor duke ua shkelur nxënësve të drejtat elementare të njeriut për një arsim normal, prandaj duhet të mbledhë mend. Këshilli i Prindërve duhet të kundërshtojë këto kërcënime dhe shantazhe të SBASHK-ut duke i dërguar fëmijët në shkollë edhe në rast se SBASHK-u fillon ndonjë grevë apo protestë”, thuhet në reagim.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka paralajmëruar protesta e grevë të mësimdhënësve nëse Qeveria nuk reflekton në miratimin e Ligjit të Pagave dhe implementimin në tërësi të Kontratës Kolektive.
ar