Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për ish-politikanin serb Oliver Ivanoviq, në 5-vjetorin e vrasjes së tij. Përmes një videoje, kreu i Qeverisë i thuri lavde Ivanoviqit, derisa kërkoi zbardhjen e vrasjes së tij.
Por në reagimin e KMDLNJ-s thuhet se Ivanoviq kishte përgjegjësi për ekzekutimin e 49 shqiptarëve gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Sipas reagimit Ivanoviqi ka qenë i akuzuar dhe i dënuar për krime lufte dhe shkelje të së drejtës humanitare me 9 vite burg, ndërsa rasti ishte kthyer në shqyrtim në Gjykatën Themelore në Mitrovcë.
“Oliver Ivanoviq ishte një kohë deputet i Kuvendit të Kosovës sikur që portretizohej si lider i serbëve të Veriut të Kosovës ndërsa për KMDLNJ–në nuk kishte asnjë dyshim se ai kishte përgjegjësi komanduese dhe ishte urdhërdhënës për krime lufte dhe shkelje të zakoneve të luftës gjatë luftës së fundit në Kosovë sikur edhe për krime kundër njerëzimit, pas përfundimit të luftës. Në bazë të dëshmive nga dëshmitarët që mbijetuan ekzekutimin dhe fakteve tjera të filmuara nga Halit Berani dhe bashkëpunëtorët në Qendrën Rajonale në Mitrovicë, Zyra e KMDLNJ –së në Prishtinë e akuzoi Oliver Ivanoviqin për vrasjen e 39 shqiptarëve, që të gjithë civilë të paarmatosur gjatë luftës sikur edhe 9 shqiptarëve dhe 2 boshnjakëve, në shkurt të vitit 2000 në Mitrovicën e Veriut, e ndarë dhe e okupuar nga forcat paraushtarake dhe parapolicore serbe”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
KMDLNJ-ja ka kundërshtuar fuqishëm adresimin Kurtit me rastin e 5 vjetorit të vrasjes së Ivanoviqit, që theksohet se është i dënuarit për krime lufte në Kosovë.
Edhe
Kastrati - Kurtit: Ne e kujtojmë Ivanoviqin për krimet që i ka bërë ndaj shqiptarëve
Sipas tyre adresimi i Kurtit përmban fjalë që janë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut, me të drejtat e viktimave dhe të drejtat e familjarëve për drejtësi dhe informata.
“Është dekurajim për të gjithë ata që angazhohen për drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për ata që kryen krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pas një gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe të pandikueshën politikisht apo mbi ndonjë bazë tjetër. Duket qartazi se në Kosovë për shkak të një oportuniteti politik, krimet e luftës do të luftohen vetëm në planin retorik e që, me kalimin e kohës dhe ndonjë marrëveshje politike ato do të margjinalizohen krejtësisht”, thuhet në reagim.
Për KMDLNJ-në është shqetësues fakti se as presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe as kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk kanë reaguar pas adresimit të Kurtit, të cilin e quan glorifikues.
“Duket pas këtij adresimi, të pakundërshtuar zyrtarisht të kryeministrit për rastin Ivanoviq, nuk ka mbetur asgjë tjetër përveç që kryetari i Kuvendit të Kosovës ta thërras një seancë të jashtëzakonshme ku presidentja do ta propozojë që Oliver Ivanoviq, post mortem të shpallet Qytetar Nderi, i Sinqertë dhe i Respektuar i Mitrovicës. Turp i përjetshëm dhe ekzekutim i serishëm i viktimave të Oliver Ivanoviqit nga ata që me Kushtetutë duhet t’i përfaqësojnë dhe mbrojnë të gjitha viktimat, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare, moshës, gjinisë, bindjeve politike, statusit në shoqëri etj”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Edhe
Beqa e quan të papjekur deklaratën e Kurtit për Ivanoviqin