Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Klinika e Alergologjisë s’pranon të marrë teste donacion, edhe pse i mungojnë tash e dy vjet

Administrata Qendrore

Një donacion prej 50 testeve për diagnostikimin e alergjive inhalatore dhe ushqimore, i ofruar për Klinikën e Alergologjisë në QKUK, nuk është pranuar, ndonëse kjo klinikë përballet me mungesë të tyre tash e më shumë se dy vjet. Kompania që ka dashur ta bëjë këtë donacion ka shprehur vullnetin që nga viti i kaluar

Klinika e Alergologjisë nuk e ka pranuar një donacion me teste për alergji inhalatore dhe ushqimore, ndonëse ato mungojnë në këtë klinikë tash e më shumë se dy vjet.

KOHA ka raportuar disa herë për dështimin e procedurave të tenderimit, të cilat nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës janë përmendur si arsye kryesore për mungesën e testeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në e-mailet që ka siguruar KOHA, dëshmohet se një kompani që ka kërkuar të mbetet anonime, ka ofruar donacion prej rreth 50 testesh për Klinikën e Alergologjisë.

“Donacioni do të përfshijë teste për testim të IgE specifike për alergji inhalatore, ushqimore dhe pediatrike, të prodhuara nga kompania gjermane, distributor të së cilës jemi në Kosovë, e cila është e njohur globalisht për diagnostikimin në fushën e alergjive dhe jo vetëm. Këto kite janë të destinuara për të mbështetur punën e klinikës në ofrimin e shërbimeve cilësore diagnostikuese, duke përfshirë edhe moshat pediatrike. Mendojmë që ky donacion do të shërbejë si ndihmesë në kontinuitetin e testimeve pranë Klinikës së Alergologjisë, duke pasur parasysh tenderimet e dështuara dhe mungesën e testimeve nga kjo klinikë”, thuhet në e-mailin e kompanisë drejtuar QKUK-së.

Kjo kompani që nga viti i kaluar i është drejtuar QKUK-së me kërkesën për të realizuar donacionin.

E nga Divizioni i Donacioneve në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, sipas e-maileve, kompanisë i janë kërkuar dokumentet përkatëse dhe është njoftuar se për këtë po pritet konfirmimi nga drejtoresha e Klinikës së Alergologjisë.

“Në ndërkohë që Dr. Bardha, si drejtoreshë e Klinikës së Alergologjisë, na dërgon konfirmimin e pranimit të donacionit, të lutem të m’i përcjellësh dokumentet e listuara me poshtë: një profaturë, të plotësohet, nënshkruhet dhe vuloset lista e bashkëngjitur (varësisht nga specifikimi i donacionit për pajisje dhe produkte) CoA ose CE (varësisht nga specifikimi i donacionit për pajisje dhe produkte) DUD-in nëse artikujt janë brenda territorit të Kosovës. Të gjitha dokumentet mund t’i dërgosh përmes emailit dhe siç të kam shpjeguar në takimin tonë, pas aprovimit nga MSh-ja dhe AKPM-ja, dakordohemi për kohën e liferimit”, thuhet në e-mailin e SHSKUK-së drejtuar kompanisë.

Nga kjo kompani, në një përgjigje për KOHËN, kanë thënë se kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar, por nuk kanë marrë më përgjigje. Po ashtu i janë drejtuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me këtë kërkesë, por as nga ajo nuk kanë marrë përgjigje. Përgjigje që nga e enjtja nuk ka marrë as KOHA në pyetjet dërguar QKUK-së, Divizionit të Donacioneve dhe drejtoreshës së Klinikës së Alergologjisë për arsyet e mospranimit të donacionit.

Ndërkohë, testet për alergji inhalatore dhe ushqimore mund të kryhen vetëm në klinika private, ku kostoja tejkalon 100-euroshin.

Pacientët që drejtohen në ambulancën specialistike të Alergologjisë, fillimisht detyrohen t’i kryejnë analizat në sektorin privat, për t’u kthyer më pas për trajtim në këtë klinikë.