Arbëri

Gati dy vjet pa teste të alergjisë në QKUK, pacientët referohen te privatët

SHSKUK vitin e kaluar nënshkroi kontratë me vlerë prej 8.300 eurosh me kompaninë “Interlab” për furnizim me teste alergjie. Por, më 27 mars të këtij viti kontrata u ndërpre. Arsyeja është mosfurnizimi brenda afatit. Në SHSKUK kanë thënë se kompania është gjobitur. Por, kjo nuk vërtetohet në faqen zyrtare të këtij institucioni

Për gati dy vjet në Klinikën e Dermatologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës mungojnë testet për alergjitë inhalatore. Pacientët udhëzohen që analizat t’i bëjnë në privat e më pas të kthehen në QKUK për trajtim. Në klinikë ka mungesë të materialeve, pasi kontrata për furnizim është ndërprerë pak muaj pasi ajo u nënshkrua. Nga SHSKUK-ja thonë se e kanë gjobitur kompaninë për papërgjegjshmëri, por kjo nuk vërtetohet në listën e saj të gjobave. 

Një nënë, që gjatë javës dërgoi vajzën për kontroll, tha se mjekët e kanë njoftuar se testi nuk bëhet brenda institucionit publik. 

“Sot pati vetëm kontroll e mjeku na tha që ta bëjmë testin, por privat, sepse na tha se këtu nuk kanë”, ka thënë nëna që foli nën kushtin e anonimitetit, e që e kishte çuar djalin për trajtim në klinikë. “Na kanë thënë që nesër të vijmë prapë, por testet duhet t’i bëjmë privat se s’i kanë këtu”.

Mungesa e materialeve është konfirmuar nga Klinika e Dermatologjisë. Sipas njoftimit, qe një vit e gjysmë nuk janë furnizuar me teste “patch”.

“Qe 1 vit e gjysmë nuk jemi furnizuar me material për patch test, kemi mungesë të materialeve, edhe pse numri i pacientëve është i madh. Për më shumë, drejtohuni te Barnatorja Qendrore”, thuhet në përgjigjen e Klinikës.

SHSKUK vitin e kaluar nënshkroi kontratë me vlerë prej 8.300 eurosh me kompaninë “Interlab” për furnizim me teste alergjie. Por, më 27 mars të këtij viti kontrata u ndërpre.

Nga Barnatorja Qendrore thanë se arsyeja e ndërprerjes ishte mosfurnizimi brenda afatit kohor.

“Operatori i kontraktuar nuk ka realizuar liferimin sipas afateve ligjore dhe është penalizuar me shkëputje të kontratës. Lënda është riiniciuar më 10 prill dhe aktualisht është në procedurë tenderuese”, thuhet në përgjigjen e Barnatores. 

Në SHSKUK kanë thënë se për shkak të papërgjegjësisë kompania është gjobitur. Por, ky pretendim nuk vërtetohet në faqen zyrtare të këtij institucioni.

“Të gjithë operatorët që nuk e kanë kryer liferimin brenda afatit kohor, ku bën pjesë dhe kompania ‘Interlab’, janë penalizuar me gjobitje dhe shkëputje të kontratave, ku dhe janë publike për publikun”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së, duke mos komentuar faktin që kjo gjobë nuk mund të gjendet në regjistrin publik.

Emri i kompanisë që SHSKUK-ja tha se e ka ndëshkuar nuk figuron te lista e kompanive të gjobitura, as për këtë vit e as për vitin e shkuar. Po ashtu emri i kësaj kompanie nuk është as te “lista e zezë” e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

KOHA ka tentuar të kontaktojë këtë kompani në numrin e shfaqur në ARBK, por askush nuk është lajmëruar. I ka nisur edhe mesazh, por sërish nuk ka marrë përgjigje.

Janë katër muaj që nga ndërprerja e kontratës me “Interlab” dhe ende nuk ka një procedurë prokurimi të përfunduar nga SHSKUK-ja që do ta siguronte deri më tani furnizimin me këto teste.