Pacientët që marrin trajtim në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po përballen me mungesë të çarçafëve, jastëkëve e tekstileve të tjera spitalore. Ato janë të leckosura, të njollosura e në raste edhe mungojnë. Pacientët detyrohen t’i marrin ato nga shtëpia. Në QKUK kanë pranuar mungesën, e fajin e kanë hedhur te procedurat e prokurimit
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës prej më shumë se katër vjetësh nuk ka furnizim të rregullt me çarçafë, këllëf jastëkësh e plafësh për shtretërit e pacientëve.
Sipas pacientëve të shtruar në këto klinika gjatë kësaj jave, ata janë detyruar t’i sjellin vetë nga shtëpia, pasi tekstilet që gjenden në spitale janë të leckosura, të njollosura e në raste edhe mungojnë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë grua, bashkëshorti i së cilës është i shtrirë në Klinikën Maksillofaciale prej më shumë se një jave, ka treguar se që në ditën e parë është detyruar t’i marrë nga shtëpia jastëkun dhe çarçafin.
“Ky e ka një infeksion. Kur kemi ardhë, pasha Zotin e madh, edhe mbulesën që ia shtrojmë krevatit e kemi marrë prej shtëpisë, se këtu nuk ka. Edhe jastëkun e kam sjellë vetë”, ka thënë familjari i pacientit.
Mungesën e këtyre materialeve e ka pranuar edhe personeli shëndetësor.
“Nuk ka, e dimë që është keq, por s’kemi çka me ba. Më shumë se katër vjet punoj këtu dhe nuk e di kur kanë ardhë të reja. Disa të vjetra ka, por jo mjaftueshëm. Nevoja për tekstile të reja është shumë e madhe”, ka thënë një punëtore e QKUK-së.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë konfirmuar mungesën, por përgjegjësinë e kanë lidhur me dështimin e procedurave të prokurimit.
“Zyra e Prokurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) njofton se gjatë vitit 2024 janë zhvilluar procedura të prokurimit për furnizim me tekstile spitalore, përfshirë çarçafë, jastëkë dhe artikuj të tjerë të ngjashëm, të cilat janë anuluar për shkak se ofertat e pranuara nuk kanë qenë të përgjegjshme. Po ashtu, në fillim të vitit 2025 janë zhvilluar sërish procedura për furnizim me të njëjtët artikuj, të cilat kanë përfunduar me anulim, pasi ofertat nuk i kanë përmbushur specifikimet teknike dhe standardet e kërkuara”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Sipas përgjigjes nga ky institucion, në fund të vitit 2025 QKUK-ja ka publikuar për herë të tretë procedurën e prokurimit për furnizim me tekstile spitalore, e cila aktualisht ndodhet në fazën e vlerësimit të ofertave.
KOHA ka mësuar gjithashtu se disa pacientë janë detyruar të blejnë vetë edhe veshje sterile në rastet kur u është dashur t’u nënshtroheshin ndërhyrjeve kirurgjike.
Gjatë gjithë vitit të kaluar KOHA ka raportuar edhe për telashe të tjera, si për mungesë të barnave, pritje të gjata për shërbime shëndetësore e deri te mungesa e dorezave dhe fashave në QKUK.
Për Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) dhe Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHKKUK) për vitin 2025 janë ndarë 105 milionë euro, ku përfshihen buxheti për barna esenciale, materiale tjera të nevojshme dhe shërbime shëndetësore.