Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, deklaroi se kryeministri Albin Kurti ka bërë ndërhyrje në drejtësi, kur ka folur për emërimin e kryeprokurorit të shtetit.
Ajo të mërkurën në "Konfront" të KTV-së deklaroi se gjuha e Kurtit në Kuvend për Blerim Isufajn, që synon të jetë kryeprokuror, është ndërhyrje dhe legjitimim i një qasjeje autoritare.
“Me gjuhën kryeministrit, të dalësh në foltore të tempullit të demokracisë dhe ta kesh një lehtësi të thuhash që të përzgjedhësh kryeprokurorin duhet bekimi im...Momenti kur ia njeh vetes si pushtetar, kur i ke të gjithë mekanizmat në dorë dhe supozon që duhet bekimi ytë për të emëruar një akterë në prokurori, është legjitimim i një qasjeje autoritare”, deklaroi Kica-Xhelili.
Për rastin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, deputetja e partisë opozitare tha se s’është për t’ia bërë gjyqin publik askujt, por duhet qartësuar se çka është ndërhyrja në drejtësi. Ajo i përmendi rekomandimet e Këshillit të Evropës, që sipas deputetes, është rekomanduar që ndërhyrje në drejtësi mund të konsiderohet edhe përfshirja nëpërmjet gjuhës verbale.