Elizabeth Gowing ka thënë se nuk ka dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltares së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për çështjen e komuniteteve. Por, ajo ka thënë se nuk mund të vazhdojë punën me Zyrën për Çështje të Komuniteteve, për shkak të parregullsive që sipas saj ka aty.
Përmes një shkrimi në Facebook, ajo ka sqaruar rastin duke përmendur konkursin që sipas saj e ka shpallur Zyra për Komunitete dhe Kthim, në vlerë prej gjysmë milion euro për OJQ dhe media për përkrahje të komuniteteve.
“Po e përsëris përkushtimin tim për vazhdimin e punës si këshilltare e Kryeministrit Kurti për çështje të komuniteteve. Ka shumë punë për të bërë dhe shumë vullnet dhe mundësi brenda Qeverisë dhe energjia ime për këtë pune nuk ndryshohet. Çka ndryshon, është mundësia për mua të vazhdoj bashkëpunimin me Zyrën për Çështje të Komuniteteve (ZCK) e përbërë nga stafi civil që e kam gjetur aty dhe që funksionon brenda Zyrës se Kryeministrit. Kjo zyrë ka shpallë konkurs për një gjysmë milion euro për OJQ dhe media për përkrahje të komuniteteve. Kërkesa që ka dalë prej konsultimit me komunitetet që kam udhëheq bashkë me ZCK në fillim të vitit, ishte që fituesit duhet të dëshmojnë që kanë bazë në komunitet. Unë kam investuar shumë kohë në terren dhe në takime me OJQ prej të gjitha komuniteteve jo shumicë për me ndërtua besim në ZCK dhe m'i bindë sa ma shumë me aplikua për këto fonde të parave publike”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka sqaruar se “sipas rregullores së Ministrisë së Financave 2017/4 për financimin e OJQ-ve, të emërtuar politikë (siç jam unë) nuk munden me marrë pjesë në proces të vlerësimit të aplikimeve. As nuk kam ditë kush ka aplikuar. Komisioni për vlerësimin e aplikimeve është përbërë nga 3 shërbyes civilë dhe 2 ekspertë të jashtëm që janë të përzgjedhur nga një komisioni tjetër të shërbyeseve civilë”.
Gowing ka thënë se kur rezultatet kanë dalë në websiten e ZKM-së, është lajmëruar për to.
Edhe
Kurti kritikohet nga dy anëtarë të kabinetit qeveritar
“Aty kam gjet shumë pak organizata të njohura për punë me komunitetet, dhe kur i kam kontrolluar në regjistrin publik të OJQ-ve, kam gjetë vetëm 3 që kanë një bazë në komunitet, sipas informateve në statut që shpallet aty. Kam kërkuar opinion ligjor nga Zyra Ligjore për mundësi të anulimit të një konkursi që ndan mjetet e shtetit në këtë mënyrë, dhe isha lajmëruar se vetëm Komisioni i Ankesave mundet me e anulu këtë konkurs. Kur kuptova të hënën qe komisioni nuk do ta anulojë konkursin, i kam lajmëruar që nuk mundem me vazhdu punën me Zyrën për Çështje të Komuniteteve. Nuk mundem m'e mbajt integritetin tim dhe m'e mbrojt vendimin e komisionit vlerësues për ndarjen e atyre mjeteve”, ka thënë ajo.
Britanikja ka shtuar se puna me kryeministrin Kurti vazhdon.