Kur në rend dite të Qeverisë është vënë miratimi i Programit për Zyrën e komuniteteve, pakënaqësi me përmbajtjen kanë shprehur ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, dhe zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi. Kryeministri Albin Kurti u arsyetua për dokumentin, dhe tha se duhet kohë që të rimëkëmbet zyra nga keqpërdorimet që kanë ndodhur në të kaluarën
Vërejtje për punën e Qeverisë në të cilën bëjnë pjesë kanë shprehur të mërkurën dy përfaqësuesit e komuniteteve në kabinetin qeveritar. Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, e zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, kanë deklaruar pakënaqësi, para miratimit të programit për Zyrën që merret me çështje të komuniteteve.
Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti ka prezantuar draftin e këtij programi. Sipas tij, qëllimi i dokumentit është promovimi i të drejtave dhe interesave të komuniteteve joshumicë.
“Parashihet mbështetje financiare për realizimin e projekteve që kanë për qëllim aftësimin dhe punësimin e komuniteteve joshumicë, me theks të veçantë për të rinjtë, gratë e grupet e tjera të margjinalizuara”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur edhe përkrahjen e aktiviteteve kulturore, si dhe mbështetjen e qytetarëve që kanë shqetësime shëndetësore apo janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Por, sipas ministrit për Kthim dhe Komunitete, ky draftprogram është i thatë në përmbajtje.
“Poenta ime është – dhe këtë e them më qëllimet më të mira – që ky program nuk i përshtatet karakterit tuaj, në kuptimin e veprimit politik. Unë përherë Zyrën (për komunitete v.j.) e kam parë si njëfarë reflektimi i vullnetit për veprim e përafrim të komuniteteve e në këtë program unë nuk e kam parë këtë. Më duhet të them se edhe teknikisht është shumë i lehtë”, ka deklaruar ministri Rashiq.
Me gjithë vërejtjet, ai ka thënë se është pro miratimit të këtij dokumenti.
“Por gjithsesi në këto rrethana – jemi në maj, e programi zakonisht miratohet në fillimvit që të ketë mjaftueshëm kohë për kryerjen e procedurave – më i mirë është edhe ky çfarë është, sesa të mos ketë fare. Thënë të drejtën, ky disi e përshkruan gjendjen e komunitetit... Unë jam për programin, por është i thatë”, ka theksuar Rashiq.
Me këtë ministër është pajtuar zëvendëskryeministrja Rexhepi. Sipas saj, zyra në kuadër të Qeverisë është gjithçka tjetër, pos zyrë për komunitete.
“Ne jemi këtu z. Kryeministër që t’u ndihmojmë aq sa duhet që të jemi të fokusuar dhe të adresuar në ndihmë shumicës së komuniteteve që të ndihen të barabarta në shoqëri. I ofrojmë bashkëpunim Zyrës që të bëhet diçka e jo siç është tash, bazuar në kërkesat që janë dhe vërejtjet prej organizatave joqeveritare që i kemi prej vitit të kaluar, frikësohemi të përfshihemi në diçka të tillë”, ka deklaruar ajo.
Kritikave të Rashiqit e Rexhepit, u është përgjigjur kryeministri Kurti. Ai ka përmendur shumën prej 3 milionë eurosh të ndarë për komunitetet së fundmi, dhe tha se duhet kohë që të rimëkëmbet zyra nga keqpërdorimet në të kaluarën.
“Unë besoj që duhet të bëjmë për të gjitha ministritë, jo vetëm në një ministri apo në një zyrë. Tash edhe në atë zyrë njerëzit që janë aty, zyrtarët tanë punojnë çfarë munden e dinë, por aty na duhet edhe një udhëheqje e unë besoj që pikërisht atëherë krijohen kushtet për të avancuar edhe më tej. Besoni që na duhet të shërojmë pak situatën me keqpërdorimet që janë bërë në të kaluarën asaj zyre dhe unë pajtohem që duhet ta fillojmë një etapë të re, një fazë të re aty”, ka deklaruar kryeministri.
Paraprakisht, kreu i ekzekutivit ka adresuar kritika për pushtetin lokal. Sipas tij, komunat janë duke u përdorur për t’i bërë opozitë nivelit qendror.
“Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale. Sot, qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë të nivelit qendror. Gabim ka qenë atëherë. Gabim është edhe tani. Bashkëpunimin e kemi përgjegjësi. Të dy nivelet e qeverisjes burojnë nga vullneti i qytetarëve. Prandaj, edhe duhet të jemi në shërbim të tyre. Qeveria është e të gjithëve. Edhe e komunave. E komunat janë të qytetarëve, jo të partive politike”, ka thënë Kurti.
Ai po ashtu ka përmendur takimet me komunat, ndarjen e granteve, rritjen e numrit të tyre, rritjen e buxhetit të komunave e për të cilat tha se janë “dëshmi të forta” të mbështetjes që Qeveria ka pasur për komunat.
“Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë eurosh, që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë qeverisjes sonë sesa gjatë qeverisë së mëparshme, apo rritje mbi 35 për qind”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ndërkaq granti i përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 kap shumën prej 284.7 milionë eurosh, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekorde e grantit të përgjithshëm, sipas Qeverisë, është rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në buxhetin e Shtetit.
Rritje ka edhe në grantin specifik për shëndetësi dhe grantin specifik për arsim. Granti për shëndetësi për vitin 2024 parashihet të ketë rritje prej 16 për qind krahasuar me vitin 2023, apo 11.5 milionë euro, ndërsa granti për arsim do të rritet për 18.5 për qind, apo 37 milionë euro.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kuvendit i është përcjellë komenti pozitiv për Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në të, Qeveria ka vendosur që të ashpërsojë sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Mes tjerash, drita e gjelbër u është dhënë edhe shpronësimeve të pronave me interes publik, në mesin e tyre edhe në Leposaviq e Zubin-Potok për realizimin e projekteve infrastrukturore. Ekzekutivi i ka dhënë aprovimin edhe nismës për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me masat e sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Po ashtu është miratuar edhe ajo me GIZ-in, për “Projektin për Promovimin e Sipërmarrjes”.