Organizata Jo-qeveritare kosovare dhe ndërkombëtare kanë plasuar sot zyrtarisht një ankesë zyrtare tek Komuniteti i Energjisë, përkatësisht tek mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duke sfiduar ligjshmërinë e marrëveshjes së blerjes së energjisë për projektin energjetik të planifikuar i bazuar në thëngjill Kosova e Re, i cili aktualisht është në pritje të ratifikimit nga parlamenti i Kosovës.
Në ankesë thuhet se marrëveshja 20 vjeçare e blerjes së energjisë, e nënshkruar nga qeveria kosovare me Contour Global në dhjetor 2017, nuk arrin të respektojë rregullat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë për ndihmën shtetërore, sepse i ofron Contour Global-it një mori përfitimesh që i japin një avantazh të padrejtë ndaj prodhuesve të tjerë të energjisë.
Kontrata gjithashtu do të vendoste një barrë të padurueshme mbi buxhetin e shtetit dhe konsumatorët kosovarë të energjisë elektrike, pasi që ajo garanton që një kompani shtetërore do të blejë të gjithë energjinë e prodhuar nga Contour Global me një "çmim të synuar" prej 80 euro/MWh - shumë më i lartë sesa çmimet aktuale të energjisë elektrike në rajon.
Për më shumë, kur energjia elektrike nuk është e nevojshme, shteti ende garanton një "pagesë të disponueshmërisë" ndaj kompanisë dhe është zotuar që të paguajë edhe tarifat e rrjetit Contour Global-it, ta rimbursojë atë për një marrëveshje “merr ose paguaj” që ajo nënshkroi me kompaninë shtetërore që ka nën pronësi minieren e linjitit dhe të ofroj tokën për termocentralin kompanisë për një shumë simbolike prej 10 eurosh.
"80 euro/MWh do të ishte mjaft keq, por me të gjitha këto tarifa shtesë, askush nuk duket se e di se sa gjithë kjo do të përfundojë duke i kushtuar konsumatorëve dhe taksapaguesve. Shumë njerëz në Kosovë nuk mund të paguajnë faturat e tyre të energjisë elektrike madje tani, kështu që nuk ka gjasë që ata t'i absorbojnë këto rritje. Shteti do të përfundojë duke zbrazur buxhetin e tij të tanishëm modest në xhepat e Contour Global ", shpjegon Visar Azemi nga Balkan Green Foundation, transmeton Koha.net.
“Të themi se qeveria kosovare ka bërë një gabim të tmerrshëm do të ishte një nënvlerësim", shtoi Pippa Gallop nga CEE Bankwatch Network. "Çfarëdo që i bëri ata të nënshkruajnë këtë kontratë absurde, tani u takon parlamentarëve të Kosovës, publikut kosovar dhe organeve ndërkombëtare si Komuniteti Energjisë dhe Komisioni Europian për të siguruar që ajo të mos ratifikohet, për hirë të konsumatorëve dhe taksapaguesve të Kosovës."
"Pjesa më e dhimbshme është se pothuajse një e treta e energjisë elektrike të Kosovës humbet nga sistemi i shpërndarjes për shkak të humbjeve teknike dhe mospagimit të faturave, kështu që prioritet duhet të jetë rregullimi i kësaj dhe rritja e pjesës së burimeve të ripërtëritshme të energjisë, jo hedhja e parave të cilat ne nuk i kemi tek edhe një tjetër termocentral me thëngjill", përfundoi Agron Demi.