Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet nisja e debatit për ndryshimet e Kushtetutës

Dita e Kushtetutës

Dita e Kushtetutës

Në prag të 15-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës, Grupi për Ballkan ka publikuar analizën: “Kushtetuta e Kosovës: Rishikim gjithëpërfshirës & Analizë ligjore”, e cila adreson mangësitë e aktit më të lartë juridik si dhe rekomandon ndryshimin e disa aspekteve të tij. Ndërkaq, liderët e shtetit janë krenuar me faktin se Kosova është ndër vendet e pakta që garanton në mënyrë specifike të drejtat e minoriteteve dhe të gjithë qytetarëve

Debat konstruktiv për ndryshimin e Kushtetutës, e cila do t’u përshtatej ndryshimeve shoqërore është kërkuar në prag të 15-vjetorit të miratimit të aktit më të lartë juridik. Mangësitë e hasura ndër vite dhe aspektet të cilat duhet adresuar janë listuar në “Analizën gjithëpërfshirëse”, e publikuar nga Grupi për Ballkan, për të cilën u organizua edhe një konferencë me udhëheqësit e institucioneve.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, ka thënë se analiza të tilla janë të rëndësishme në shtetin e së drejtës.

“Një analizë e tillë duhet medoemos t’i nënshtrohet një debati të gjerë e të vazhdueshëm publik. Sepse vetëm përmes një diskutimi të hapur e publik do të mund të jetësohet teoria lidhur me shtetin e së drejtës. Dua të vë theks në tri çështje që duhet të diskutohen për karakteristikat kushtetuese. E para, normat kushtetuese; rëndësia e stabiliteti të rendit juridik; si dhe simbolika që kjo Kushtetutë ngërthen. Fokusi i shumicës prej nesh ishte se si mund të bëhen ndryshimet kushtetuese, dhe kjo është pozitive”, ka theksuar Caka-Nimani.

Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani është krenuar me faktin se Kosova është ndër vendet e pakta që garanton në mënyrë specifike të drejtat e minoriteteve dhe të gjithë qytetarëve.

“Jemi ndër vendet me vlerësimet më të larat në rajon. Një armë shumë e rëndësishme e Kushtetutës sonë është korniza institucionale. Kushtetuta jonë është tejet unike që ia vesh presidentes një detyrë të rëndësishme. Gjatë këtyre 15 vjetëve Kushtetuta ka ndryshuar. Kemi nisur historinë e saj më mbikëqyrje. Para Gjykatës Kushtetuese janë edhe amendamentet për vettingun. S’ka gjë më të dhimbshme për një shoqëri sesa të humbin besimin në drejtësi. Gjersa po festojmë këtë, shpreh gatishmërinë për të vazhduar në shërbim të vendit ashtu siç kërkon Kushtetuta”, ka thënë Osmani.

Edhe Kolumne 2 muaj më parë Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë: tri arsye për brengë për shëndetin e demokracisë

E kryeparlamentari Glauk Konjufca është shprehur se kushtetutshmëria e Kosovës është ende në formësim e sipër, projekt për të cilin kanë kontribuar ndërkombëtarë dhe vendës.

“Kushtetutshmëria e Kosovës është relativisht e re për arsye se shteti është i ri, por idealet dhe ambiciet e Kosovës nuk janë të reja. Kur janë këto ambicie është edhe qëllimi që të kesh Kushtetutën. Ne, për shkak të rrethanave historike e krijuam shtetin në vitin 2008, e shtetet e reja i kanë edhe përparësitë e tyre. Kur jemi te Kushtetuta e Kosovës natyrisht që kjo nuk ka se si të mos përmbajë vetë procesin e shtetndërtimit”, ka potencuar Konjufca.

Për rëndësinë e ndryshimit të Kushtetutës ka folur ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

“Procesi i rishikimit kushtetues ka arritur një sukses nga Grupi i Ballkanit. Tashmë është koha që ta hapim një debat produktiv. Që nga miratimi i Kushtetutës, Kosova ka qenë e përkushtuar që ta ruajë rendin demokratik dhe qytetar dhe ka bërë shumë ndryshime. Për dispozitat e reja ligjore ne kërkojmë edhe një konsensus të përgjithshëm politik. Mendoj se serioziteti që i kushtohet këtij procesi është i rëndësishëm”, ka thënë ai.

Rekomandimet e Grupit të Ballkanit

Sipas analizës së Grupit të Ballkanit, Kushtetuta duhet të ofrojë më shumë qartësi për punën e Kuvendit, kompetencat e presidentit e qeverisë, si dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me juridiksionin dhe metodat e saj të interpretimit.

Edhe Në 18-vjetorin e miratimit të Kushtetutës bëhet thirrje që ajo të mos shkelet Arbëri 3 muaj më parë Në 18-vjetorin e miratimit të Kushtetutës bëhet thirrje që ajo të mos shkelet

“Kjo analizë adreson gjithsej 21 çështje, disa prej të cilave përmbajnë edhe nënçështje të tjera. Ato trajtojnë mangësitë e identifikuara të Kushtetutës, përveç dispozitave për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve. Këto të fundit janë dëshmuar të jenë më pak problematike dhe, në fund të fundit, u nënshtrohen zhvillimeve dhe interpretimeve të vazhdueshme nga praktika e obliguar me Kushtetutë e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Megjithatë, kjo nuk përjashton nevojën që në të ardhmen të vlerësohen edhe aspekte të Kushtetutës lidhur me të drejtat e njeriut dhe funksionimin e institucioneve në ndërlidhje me respektimin dhe mbrojtjen e atyre të drejtave”, shkruan në analizë.

“Kushtetutës i mungon një sistem i qartë i ligjeve, pasi nuk përcakton llojet e ndryshme të akteve juridike dhe nuk trajton se çfarë lloj akti juridik specifik ka epërsi mbi cilat norma. Ajo, po ashtu, nuk rregullon statusin e akteve të organizatave ndërkombëtare dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare. Për adresimin e këtyre zbrazëtirave kërkohet një terminologji konsistente e akteve juridike dhe hierarki normative e përcaktuar qartë, e cila do të ruante parimin e ligjshmërisë”.

Për shkak të shkeljeve, Gjykata Kushtetuese në disa raste ka rrëzuar vendimet e organeve të tjera.

Edhe historia e zgjedhjes së presidentëve në Kosovë që nga paslufta e këndej ka qenë “Thembra e Akilit” për Kuvendin e Kosovës.

Brenda 8 muajsh Gjykata Kushtetuese kishte marrë dy vendime të rëndësishme për sistemin politik dhe juridik të vendit, duke rrëzuar dy presidentë. Rasti i parë kishte të bënte me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të datës 22 shtator 2010, ku u konstatua se Fatmir Sejdiu kishte shkelur seriozisht Kushtetutën duke mbajtur postin e presidentit dhe atë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Rasti i dytë kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi presidentin është me Behgjet Pacollin, ku me aktgjykimin e datës 30 mars 2011 kishte vlerësuar si antikushtetues vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e tij. Ky vendim bëri që institucionin më të lartë të vendit – Kuvendin, ta konfirmojë si shkelës të Kushtetutës së Kosovës.

Edhe Kabashi: Kushtetuta duhet të amendamentohet, ka hapësira për keqinterpretim Arbëri 3 muaj më parë Kabashi: Kushtetuta duhet të amendamentohet, ka hapësira për keqinterpretim

Pas rastit Pacolli pati nisur debati rreth formës së zgjedhjes së presidentit dhe nevojën e ndryshimeve kushtetuese, duke e zgjedhur presidentin direkt nga populli. PDK, LDK, AKR gjatë krizës presidenciale ishin marrë vesh që menjëherë ta fillojnë një proces të ndryshimit të kushtetutës dhe legjislacionit zgjedhor duke e ndryshuar e formën e zgjedhjes së presidentit të vendit, pra që ai të zgjidhet nga vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve. Edhe pse u patën themeluar komisione të veçanta në adresimin e këtyre çështjeve, puna e tyre nuk ishte përfunduar asnjëherë. Përpjekja e tyre për t’ia ndërprerë në gjysmë mandatin ish-presidentes Atifete Jahjaga ishte shpallur kundërkushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

Kushtetuta e Kosovës u miratua më 9 prill të vitit 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti.