Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë e ka miratuar planin e punës së Komisionit, përderisa për buxheti u tha se do të diskutohet pas takimit me partnerët ndërkombëtarë.
Me ndërkombëtarët u tha se do të diskutohet edhe për mënyrën se si do të realizohet reforma.
Komisioni gjithashtu morri vendim që brenda kësaj jave të ketë takim me shoqërinë civile, kurse më 25 dhe 26 tetor të mbahet punëtori dy-ditore.
Kryetari i Komisionit, Abelard Tahiri, tha se partitë kanë të drejtë të angazhojë ekspertë në bazë të numri të deputetëve, duke shtuar se deri në fund të javës duhet të dërgohet emrat e propozuar.
“Propozimi është t’i shtohet edhe një caktimi i ekspertëve nga Grupet Parlamentare. Do të ishte e mirëseardhur angazhimi i ekspertëve të jemi më efektiv ne punën tonë si Komision. Propozohen 2 këshilltarët e VV, një nga PDK, një nga LDK, një nga AAK. Ne duhet t’i procedojmë deri në fund të kësaj jave emrat”, ka thënë ai.
Sa i përket shqyrtimit të planit të punës, Tahiri tha se duhet të jenë sa më fleksibil, duke përmendur një varg çështjesh që Komisioni duhet të adresojë.
“Çka mund të adresojmë janë çështje që kërkojnë ndryshime ligjore. Ne mund t’i propozojmë seancës ndryshime ligjore. Sa i përket takimeve me partnerë të zyrës së BE-së kanë qenë vazhdimisht në monitorimin e zgjedhjeve. Nuk mendoj që duhet me u ndal, por me vazhduar me qenë pjesë e takimit. Në këto rrethana është krijuar ky komision ad-hoc. Adresimi te keqpërdorimi i votës duhet t’i trajtojmë. Edhe ndryshimet Kushtetuese, edhe çështjet ligjore duhet të jenë pjesë e diskutimit”, ka thënë ai.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se është i nevojshëm konsensusi për të arritur një koordinim për këtë çështje.
“Propozoj sa më parë të japim emra për këshilltar dhe ta mbështesin. Puna jonë është t’i analizojmë të gjitha rekomandimet e partive politike, shoqërisë civile. Ne në Kuvend duhet të dërgojmë raportin me rekomandime. Ne na duhet konsensus. Ne po koncentrohemi tek Ligji për zgjedhje të përgjithshme. Nuk mund ta prezantojmë në opinion si formë zgjedhore”, ka thënë tutje ai.
Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, tha se roli i Komisionit është që të rekomandohen ndryshimet e të procedohen në seancë.
“Rekomandimet raportet ekzistojnë. Ne kemi rolin me materializuar rekomandimet në dispozita ligjore, Ligjin për zgjedhje të përgjithshme. Roli jonë është me amandamentuar projektligjin. Ne mund t’i analizojmë raportet, por nuk mendoj që duhet të shkojë në seancë. Roli jonë është të ndryshojmë Ligjin për zgjedhje”, ka thënë Rrustemi.
Deputeti i PDK-së, Ilmi Reçica kërkoi debat parlamentar për të bërë një reformë të mirëfilltë.
“Nëse ne kemi në plan të punës të ne bisedojmë me organizata pse të mos kemi një debat parlamentar për të bërë një reformë të mirëfilltë. Varet se a do t’i bëjmë me ndryshime Kushtetuese apo ligjore”, ka thënë ai. /EO