Përmbylljes së procesit të tejzgjatur për reformën zgjedhore, Kuvendi ka ndërmarrë veprime për t’ia dhënë një shtysë të re. Me anë të konstituimit të një komisioni ad-hoc gjatë javës, synon që të mënjanojë defektet në sistemin zgjedhor, pas më se dhjetë vjetësh përpjekjeje.
Porse njohësit janë shprehur skeptikë se edhe kjo iniciativë e Kuvendit do të prodhojë rezultate. E si shkak për këtë, disa prej tyre numëruan mungesën e vullnetit politik.
“Kjo është në fakt një prej shumë iniciativave që janë ndërmarrë nga Kuvendi për plotësimin dhe ndryshimin e kuadrit ligjor, lidhur me zgjedhjet. Mirëpo, shpresojmë që kjo të mos e ketë fatin e njëjtë me nismat e kaluara të Kuvendit, por edhe të institucioneve të tjera, si presidenti, të cilat kanë dështuar si në mungesë të konsensusit ashtu edhe për shkak të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Ndërsa Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese, thotë se me reformën zgjedhore duhet të bëhen ndryshime në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, për ato lokale, sikurse edhe ndryshime kushtetuese. Sipas tij, nevojitet krijimi i zonave zgjedhore, të ndryshohet pragu zgjedhor prej 5 për qind dhe që presidenti të zgjidhet drejtpërsëdrejti nga populli.
“Që të mos u lejohet partive politike të bëjnë pazare me presidentin, por edhe pastaj t’ia mohojnë edhe legjitimitetin këta të tjerët, të cilët nuk japin pëlqim për të. Ose në rastet e tjera të mos i përmendim kur me tym e me flakë është zgjedhur ndonjë prej tyre”, është shprehur Baraliu.
Por komisioni i porsakonstituuar ka kompetenca për ndryshime vetëm në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe madje kryesisht në çështje teknike, menaxheriale e operacionale, siç janë votimet jashtë vendit ose ato me kusht.
“Ne besojmë se me hapjen e diskutimeve për reformën zgjedhore do të ishte mirë që të diskutohen edhe elementet përmbajtjesore dhe ato politike të sistemit zgjedhor, duke përfshirë mënyrën e zgjedhjes së presidentit, zonat zgjedhore, pragun zgjedhor e çështje të tjera për të cilat nevojitet konsensus më i madh politik”, ka sugjeruar Eugen Cakolli.
Komisioni ad-hoc ka planifikuar që përmbylljen e reformës zgjedhore ta bëjë deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm.