Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet dorëheqja e qeveritarëve që kanë problem me ligjin

Dorëheqje të qeveritarëve dhe zyrtarëve të institucioneve publike kanë kërkuar përfaqësuesit e shoqërisë civile në konferencën e organizuar të premten, në kuadër të “Javës kundër korrupsionit 2022”.

Hulumtuesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Medina Kadriu, ka numëruar zyrtarë që po vazhdojnë mandatin e tyre, pavarësisht që Kurti kishte deklaruar se në qeverinë e tyre nuk do të ketë persona me aktakuzë. Kadriu ka thënë se Qeveria e Kosovës përbëhet nga pesë zyrtarë që kanë probleme me ligjin, të cilat lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës. E në listë ka edhe deputetë e kryetarë të komunave.

“Ministrja e MINT, Rozeta Hajdari, po akuzohet nga prokurori i shtetit për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë.... Në kundërshtim me premtimet qeverisëse, sot znj. Hajdari mban pozitën e Ministrisë përkundër që e njëjta është e akuzuar për korrupsion.

Në grupin e personave që kanë probleme me ligjin, por se jo për korrupsion, bënë pjesë edhe kreu i Qeverisë, Kurti, i cili është i dënuar për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, ka thënë Kadriu.

Hulumtuesi tjetër, Ramiz Durmishi, ka treguar se janë 11 persona apo 9,16% e përfaqësuesve të popullit në Kuvend që kanë aktakuzë aktive. Nga VV-ja ka thënë se është Glauk Konjufca, Mimoza Kusari-Lila, Artan Abrashi, Valon Ramadani, Jetmire Venezi, Salih Zyba dhe Fitore Dalipi, nga PDK-ja Xhavit Haliti, nga AAK- ja, Pal Lekaj dhe Time Kadrijaj, ndërsa nga grupi multietnik, Samra Ilijazi.

“Tre prej deputetëve që janë, ushtrojnë mandatin e tyre, përballen me vepra korruptive, pra vepra penale që kanë të bëjnë me korrupsionin, ndër to 2 deputete vetëm se kanë përfunduar gjykimin ndaj tyre. Mimoza është e liruar nga akuza, Venezi është dënuar në shkallë të parë dhe rasti i saj është ende në Gjykatën e Apelit. Me aktakuzë për korrupsion përballet edhe deputeti Pal Lekaj, pra edhe pse shumë nga deputetët që i përmendëm veprat e tyre lidhen shumë me hedhjen e gazit lotsjellës në Parlament. Katër nga deputetët akuzohen për vepra penale, gjykimet e tyre janë për vepër penale/korruptive dhe të njëjtit vazhdojnë të jenë deputetë të Kuvendit”, ka bërë të ditur Durmishi. Ai ka theksuar më tej se mosdorëheqja e këtyre personave i shkakton dëme shoqërisë sonë.

Edhe Java Kundër Korrupsionit nis me grevë, si protestë ndaj “kapjes së institucioneve“ Arbëri Java Kundër Korrupsionit nis me grevë, si protestë ndaj “kapjes së institucioneve“

Në konferencën që titullohet “Qeverisje me duar të pastra, u bë e ditur se tri komuna të Kosovës udhëhiqen nga persona të cilët kanë probleme me ligjin, sipas gjetjeve të IKD-së: Komuna e Pejës nga Shpejtim Bulliqi, e Istogut me Zenun Elezajn dhe Kamenica me Kadri Rahimaj.

Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit”, që ka nisur më 5 dhjetor”, koalicioni i OJQ-ve ka organizuar shumë aktivitete, ku ndër të tjera janë prezantuar raporte që argumentojnë problemet dhe sfidat e institucioneve përgjegjëse në luftimin e korrupsionit.

Pjesë e koalicionit të OJQ-ve “Bashkë kundër korrupsionit” janë: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Columbus. Motoja e “Javës kundër korrupsion për vitin 2022” është “Bashkë Kundër Korrupsionit”.