Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Partia opozitare

PDK: Korrupsioni në Qeverinë Kurti, kryefjala e raportit të DASH-it për Kosovën

Konferenca PDK, Perparim Gruda dhe Blerta Deliu-Kodra

Foto: Alban Bujari

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën shpërfaqë paaftësinë dhe dështimin e skajshëm të Qeverisë Kurti në të gjitha fushat.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në një konferencë për media, tha se të gjeturat e këtij raporti “faktojnë sesi tash e katër vjet Kosova udhëhiqet nga një Qeveri e korruptuar, e paaftë, nepotiste dhe abuzuese e kërcënuese ndaj lirisë së shprehjes dhe asaj të medias”. 

“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, i cili, edhe këtë herë, sikur vitin e kaluar, është tejet i zymtë, tregon më shumë sesa realitetin tonë në Kosovë. Ky raport, që padyshim është kredibil dhe mirë i analizuar, shpërfaqë dështimin e skajshëm të kësaj Qeverie në të gjitha fushat, më të rëndësishmet në udhëheqjen e shtetit”, tha Deliu-Kodra, e cila ngriti shqetësimin për konstatimin e raportit të DASH-it se ka korrupsion serioz qeveritar.  “Kemi edhe dy vendimet të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilat kanë shpallur fajtore ministren e MINT, Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren e MPJD, Liza Gashi për mosdeklarim të pasurisë. Rastet eklatante të kësaj Qeverie dhe eksponentëve të tyre gjatë këtij mandati që ndërlidhen me korrupsionin masiv qeveritar, janë tejet të shumta. Aferat e ambasadorit Martin Berishaj, Nagip Krasniqit të KEK-ut,  Faruk Mujkës, Ridvan Muharremit dhe Ministres Hajdari lidhur me rezervat shtetërore, kontratat njëburimore që tejkalojnë 200 milionë euro, deri te raportimet e fundit të mediave për faljen e miliona borxheve të kompanive nga ministri Liburn Aliu, vetëm sa forcojnë edhe më shumë këto konstatime të DASH-it. Fatkeqësisht, siç e keni parë, Vetëvendosja në vazhdimësi ka refuzuar kërkesat tona për themelimin e komisioneve hetimore parlamentare duke shtuar dyshimet tona të bazuara se sa thellë ishin zhytur në këto skandale”.
 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Deliu-Kodra tha se në vitet e fundit “Kosova ka pasur rënie në ranglistën për lirinë e medias si pasojë e presionit nga zyrtarë të Qeverisë Kurti, të cilët përveç kërcënimeve e fushatave shpifëse ndaj gazetarëve, kanë ndërmarrë edhe veprime konkrete për të mbyllur një medium nacional”.

“Kjo pasqyrë nuk i shërben të ardhmes së Kosovës dhe integrimit të saj euro-atlantik. Përkundrazi, Qeveria, përmes veprimeve të saj ka përkeqësuar edhe mirëqenien e qytetarëve edhe imazhin e vendit në botë. Për këto arsye dhe jo vetëm, Kosova tashmë gjendet edhe nën sanksione ndërkombëtare me qindra-miliona euro të bllokuara. Kjo nuk është Kosova për të  cilën është punuar me vite”, tha Deliu-Kodra.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda tha se në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, përshkruhet “me saktësi dobësimi i përgjithshëm i nivelit të sundimit të ligjit dhe në veçanti ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë”.

“Disa herë në këtë raport gjendet fjalia ‘ndërhyrjet politike në drejtësi’. Kjo tregon qartë për përpjekjet e vazhdueshme të kësaj qeverie për të mbrojtur njerëzit e saj të korruptuar përmes ndërhyrjeve në organet e sistemit të drejtësisë. Një gjë kjo të cilën ne si PDK e kemi thënë vazhdimisht, sot ajo është konfirmuar edhe nga raporti i DASH-it. Ndërkohë, nuk është bërë asgjë për të realizuar reformat e premtuar në sistemin e drejtësisë, nuk ka filluar ende procesi i vettingut dhe kanë vazhduar shkeljet e Kushtetutës”, tha Gruda.  “Sërish vihet theksi tek dështimet e qeverisë se Kosovës për të zbatuar ligjin në mënyrë efektive. Kjo nënkupton, edhe dështimi për të ndërmarrë masat e nevojshme për të luftuar dhe parandaluar dhunën dhe vrasjen ndaj grave. Po ashtu, kanë munguar edhe programet e integrimit për të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore. Nuk mund të mos përmend këtu se pasi një grua u vra dhe u shpall ditë zie, Ministrja e Drejtësisë gjeti kohë të shkoi në fushatë për tu përzier në zgjedhje në Maqedoni të Veriut. Sikur kjo të mos mjaftonte, ajo vazhdoi ekskursionin e saj politik edhe nëpër shtetet tjera të Evropës, Gjermani e Suedi. Kjo tregon mjaftueshëm për seriozitetin e kësaj qeverie për të trajtuar problemin e vrasjes së grave në Kosovë”, tha ai.