Luftimi i lajmeve të rreme dhe i dezinformimit, si dhe promovimi i etikës në media gjatë fushatave zgjedhore kanë qenë temat në fokus të punëtorisë së organizuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara, në bashkëpunim me OSBE-në. Gjatë kësaj punëtorie, përfaqësues të mediave, ata të organizatave të gazetarëve dhe të OSBE-së kanë diskutuar mbi sfidat që i paraqet dezinformimi gjatë periudhave zgjedhore dhe teksa e kanë theksuar rëndësinë e ruajtjes së standardeve etike në raportim
Luftimi i lajmeve të rreme dhe i dezinformimit, si dhe etika në media gjatë fushatave zgjedhore kanë qenë temat kryesore të cilat janë trajtuar të martën gjatë punëtorisë së organizuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara (KMSHK), në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Pascale Roussy, drejtore në Departamentin e demokratizimit në OSBE, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes të gjithë akterëve gjatë kohës së fushatës zgjedhore në mënyrë që të adresohen sfidat që burojnë nga dezinformimi.
“Çdo ditë përballemi ose jemi të përballur me lajme të rreme, dezinformim dhe propagandë. Natyrisht, në atmosferën e ngarkuar të fushatës zgjedhore që po afron, kjo është diçka që të gjithë duhet ta adresojmë së bashku. Ne, si organizatë dhe si vend, kemi shprehur përsëri shqetësimin tonë për përhapjen e lajmeve të rreme dhe dezinformimit dhe për gjuhën e dëmshme që kjo ekspozon”, ka theksuar ajo gjatë punëtorisë.
E kryetarja e KMSHK-së dhe kryeredaktorja e grupit KOHA, Brikenda Rexhepi, ka theksuar se gjatë periudhës së zgjedhjeve shfaqen të ashtuquajtura media, për të cilat ka thënë se shpesh dalin nga partitë politike dhe se përdoren për t’i përhapur idetë dhe mesazhet e tyre gjatë fushatës.
“Për shkak të shfaqjes së mediave online dhe portaleve të ndryshme në Facebook, të cilat nuk kanë ekzistuar si media të organizuara deri para pak kohe, ka pasur përpjekje, ndoshta edhe nga partitë politike ose militantët e tyre, për të përhapur idetë dhe mesazhet e tyre përmes këtyre platformave. Shpesh këto mesazhe janë të ndërlidhura me sulme që nuk bazohen gjithmonë në fakte. Kjo e ka bërë të vështirë monitorimin dhe sigurinë e informacionit, duke e bërë edhe më të ndërlikuar procesin e ruajtjes së etikës profesionale në media. Në këtë kuadër është vështirë të sigurohet se publiku po informohet në përputhje me Kodin e Etikës dhe standardet e gazetarisë”, ka thënë Rexhepi.
Imer Mushkolaj, drejtori ekzekutiv i KMSHK-së, ka treguar se Këshilli ka përgatitur një udhëzues me tri pika. Si pikë e parë, ai ka bërë të ditur se në udhëzues është përfshirë domosdoshmëria që lajmi të bazohet në fakte dhe të jetë i ndarë nga opinioni. E si dy pika të tjera janë përfshirë reklamimi i fshehtë që krijon përshtypje të rreme në fushata zgjedhore, si dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes nga partitë politike, të cilën, sipas Mushkolajt, mediat nuk duhet ta përhapin.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve (AGK), Xhemajl Rexha, ka kërkuar që të gjithë gazetarët të kenë qasje të barabartë në tubime politike, duke i përmendur me këtë rast sfidat e sigurisë me të cilat janë përballur ata gjatë zgjedhjeve të kaluara.
“Është shumë e rëndësishme që gazetarët të jenë në terren dhe të shohin dhe të raportojnë vetë për atë që ndodh, për ato çfarë politikanët premtojnë për pjesëmarrjen e qytetarëve në këto tubime zgjedhore. Fatkeqësisht, në zgjedhjet e fundit gjatë kohës së fushatës zgjedhore për ditën e zgjedhjeve kemi pasur edhe rrezikim të sigurisë fizike të gazetarëve, që është e papranueshme. Partitë politike duhet të jenë në gjendje që t’u ofrojnë qasje të barabartë për të gjithë gazetarët për të mbuluar tubimet e tyre zgjedhore”, ka thënë Rexha.
Në punëtorinë e së martës i pranishëm ka qenë edhe Darko Dimitrijeviq, anëtar i KMSHK-së dhe drejtor i Radio-Gorazhdevcit, i cili ka folur për pengesat gjatë raportimit të mediave lokale serbe.
E Besnik Berisha, nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ka theksuar se janë grumbulluar ankesa që nga zgjedhjet e kaluara dhe të cilat ende nuk janë shqyrtuar, pasi që Komisioni nuk ka pasur kuorum për t’i trajtuar ato.
Kreshnik Gashi, redaktor në portalin Kallxo.com, ka folur për dezinformimin nga partitë politike dhe për mosrespektimin e premtimeve të tyre.
Në këtë punëtori është diskutuar edhe për mënyrat praktike dhe ligjore të luftimit të lajmeve të rreme dhe të propagandës gjatë fushatave zgjedhore, përfshirë edhe mekanizmat ligjorë që mund të përdoren për adresimin e këtyre fenomeneve.