Kolumne

E vërteta nuk mund të jetë “diku në mes”

Dëmi që bëjnë dhe rreziku të cilin e shkaktojnë lajmet e rreme nuk manifestohet vetëm me përhapjen e të pavërtetave, por që është edhe më keq, me relativizimin e së vërtetës dhe vënien e saj në dyshim. Për gazetarët dhe mediat profesionale është e papranueshme thënia që dëgjohet shpesh se “e vërteta është diku në mes”. Besimi në këtë thënie është një fitore për gënjeshtrat e përhapura me qëllim, për manipuluesit dhe dezinformuesit.

Ka disa vjet që shumë organizata ndërkombëtare dhe autoritete nacionale nëpër shumë vende demokratike kanë investuar në një lloj lufte kundër analfabetizmit medial, i cili është rritur edhe më shumë me rritjen e ndikimit të rrjeteve sociale. Shpejtësia me të cilën përhapen pohimet e ndryshme nëpër rrjete sociale, pa u verifikuar sepse prapa tyre nuk qëndrojnë profesionistët, por njerëzit e thjeshtë, kanë vënë në sfidë të madhe mediat tradicionale. Ata që për qindra vjet janë quajtur thjesht “gazetarë“ apo “reporterë“ janë sfiduar tash nga “influencerë“, krijues të përmbajtjes (content creators), “rrëfyes të tregimeve“ (Storytellers), blogera, youtubera e çka mos tjetër. Përderisa fushëveprimi i mediave dhe gazetarëve pak a shumë ka qenë i rregulluar, edhe me ligje, por edhe me vetë rregullime profesionale, rrjetet sociale dhe platformat e tjera të komunikimit janë zhvilluar aq shpejt sa që rregullatorët, nga organizatat ndërkombëtare e deri te qeveritë shtetërore, nuk po arrijnë t’i fusin brenda kornizës ligjore. Dhe efekti është shkatërrues dhe ai po shihet gjithnjë e më shumë në shoqëri.

Në disa vende ku janë bërë anketat ka dalë rezultati se rreth 80 për qind e të rinjve sot nuk e dinë dallimin mes rrjeteve sociale dhe faqeve në internet të mediave zyrtare. Shumë media, të nxitura nga sfida e shpejtësisë dhe atraktivitetit bien në grackë që t’i mbushin faqet e tyre me materiale nga postimet private nëpër rrjetet sociale, pa i verifikuar, duke i bërë personat të cilët postojnë të duken sikur janë relevantë dhe të besueshëm për atë që postojnë.

Kështu edhe institucionet e Bashkimit Evropian kanë nisur disa plane për t’i ndihmuar mediat tradicionale, për ta ruajtur rolin e tyre si shtylla të një shoqërie demokratike, në mënyrë që qytetarët të mund të kenë media të cilave mund t’u besojnë. Por, kjo është bërë shumë e vështirë, sepse e vërteta nuk vërtetohet aq lehtë, e rrena është gjithmonë më e shpejtë dhe më interesante.
Ekziston thënia e njohur se “derisa e vërteta t’i ketë mbathur këpucët, rrena e ka kaluar gjysmën e botës”.

Është investuar viteve të fundit në projekte për ta luftuar dezinformimin dhe manipulimin përmes verifikimit të fakteve. Por edhe kjo është dëshmuar punë e vështirë. Sepse edhe kur zbulohet e vërteta, atëherë pakkush ka interes për të. Ka shumë shembuj që gjërat e pavërteta, të cilat janë dëshmuar si të tilla, kanë ngelur në mendjen e njerëzve sikur të ishin fakte.

Në garën mes rrenave dhe të vërtetës rrena ka një përparësi shumë të madhe. Për rrenën nuk ka nevojë të investigosh, as të verifikosh, por menjëherë e shpërndanë. Ndërsa për ta zbuluar të vërtetën duhet shumë punë dhe shumë kohë.

Asnjë gazetar apo medium profesional nuk e përhap ndonjë të pavërtetë me qëllim. Këtu duhet saktësuar se edhe mediat mund të gabojnë, mund edhe të raportojnë ndonjë gjë që dëshmohet të mos ketë qenë e  vërtetë. Mund edhe t’ia huqin në ndonjë vlerësim. Por, edhe këto mund të jenë lëshime profesionale, gabime, keqinformime e jo doemos dezinformim. Ka dallim shumë të madh mes “keqinformimit” dhe “dezinformimit”. Sepse keqinformimi nuk është doemos rezultat i ndonjë qëllimi të caktuar përderisa dezinformimi është me qëllim të manipulimit. Kjo ka ekzistuar prej kur ekziston njerëzimi, por tash me mundësitë teknologjike për diseminimin e porosive ka marrë përmasa të papritura. 

Dëmi që bëjnë dhe rreziku të cilin e shkaktojnë lajmet e rreme nuk manifestohet vetëm me përhapjen e të pavërtetave, por që është edhe më keq, me relativizimin e të vërtetës dhe vënies së saj në dyshim. Për gazetarët dhe mediat profesionale është e papranueshme thënia që dëgjohet shpesh se “e vërteta është diku në mes“. Besimi në këtë thënie është një fitore për gënjeshtrat e përhapura me qëllim, për manipuluesit dhe dezinformuesit.

Mitin se “e vërteta është diku në mes” e kanë përdorur dhe e përdorin sidomos për propagandë politike dhe shpesh në rastet e konflikteve. 

“Mediat perëndimore thonë një gjë ndërsa ato ruse një gjë tjetër për luftën në Ukrainë. Pra, e vërteta është diku ne mes”. 

Një pjesë e madhe e botës beson se është kështu.  Dhe është shumë lehtë që sa herë dikush të përballet me të vërtetën, duke e ditur se është e tillë, e thotë të kundërtën, pra rrenën. Në rastin më të keq për ta krijohet mosbesim ndaj së vërtetës, ndërsa disa i besojnë edhe rrenës.

Dhe nuk mund të krahasohen as mediat nga vendet demokratike, ku më shumë sundon rendi dhe ligji, me ato nga vendet autoritare ku mediat dhe gazetarët janë në shërbim të politikës. Pra, janë më shumë “punëtorë shoqërorë politikë”,  sesa “profesionistë që mbledhin dhe shpërndajnë informata për të informuar publikun”.   Në vendet demokratike për mediat dhe gazetarët që me qëllim përhapin lajme të rreme ka pasoja, nëse jo ligjore atëherë profesionale. Në diktatura dhe pushtete autoritare është e kundërta.

Sado e vështirë të jetë beteja kundër lajmeve të rreme, manipulimeve dhe deizinformimit, nuk ka për profesionistët rrugë tjetër pos vazhdimit të kësaj beteje. E organizatat ndërkombëtare, qeveritë dhe autoritetet shtetërore, nëse vërtetë e kanë përnjëmend kur pretendojnë se po investojnë kundër këtyre dukurive të rrezikshme, duhet të bëjnë më shumë. Duhet më pak edhe vet t’i përdorin ato mjete komunikimi përmes së cilave përhapen lajmet e rreme. Kjo vlen edhe për institucionet e Bashkimit Evropian, sidomos Komisionin Evropian, të cilat po e shfrytëzojnë zhvillimin teknologjik për të lënë përshtypje se janë transparente ndërkohë që janë mbyllur si kurrë më parë. Gjithnjë e më shpesh kur mediat bëjnë pyetje në institucionet e BE-së hasin në përgjigje se “në këtë janë përgjigjur në postimet në rrjetet sociale”.  Gazetarët në Bruksel kanë vërejtur paradoksin se Komisioni Evropian për të shpërndarë mesazhet e tij përdor më së shumti pikërisht ato rrjete sociale ndaj të cilave ka nisur procedurat ligjore apo edhe i ka dënuar për shkak se nuk e verifikojnë vërtetësinë e gjërave që shpërndahen në to, e sidomos për shkak të mosrespektimit të ligjit për shërbimet digjitale.